Balluku inspekton kantierin në Shkodër: Ura ekzistuese e Bahçallëkut nuk preket, do ndërtojmë urë të re paralele. Zgjerojmë hyrjen e qytetit

Shkodër, 4 Qershor 2025 – Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, zhvilloi këtë të mërkurë një inspektim në kantierin e rrugës “Kthesa e Bërdicës – Ura e Bahçallëkut”, një projekt që synon të përmirësojë ndjeshëm qasjen hyrëse në qytetin e Shkodrës dhe infrastrukturën përreth.

Gjatë bashkëbisedimit me inxhinierët dhe punonjësit, Balluku theksoi se veçantia e këtij projekti qëndron në ndërtimin e një ure të re paralele, ndërkohë që ura ekzistuese do të ruhet në formën e saj aktuale, pa ndërhyrje strukturore.

“Jemi në kantierin e urës së re të Bahçallëkut, që zëvendëson urën që kemi sot, por që nga ana tjetër fillon edhe një zgjerim i kësaj rruge drejt qytetit të Shkodrës, duke nisur nga Bërdica,” – tha ministrja Balluku.

Ajo shtoi se rruga e re do të ketë një gjatësi prej 1600 metrash, ndërsa ura ekzistuese, me gjatësi 180 metra lineare, do të dublikohet me një strukturë të re pranë saj.

“Nuk preket ura ekzistuese dhe ndërtojmë një urë paralele, e cila do të shërbejë si një nga krahët e rrugës. Nuk do të vihet dorë mbi atë punim, por do të bëhen disa riparime të vogla për ta forcuar, pa e prekur atë,” – u shpreh Balluku.

Projekti përfshin edhe urbanizimin e zonës, me trotuare, ndriçim dhe gjelbërim, çka do ta transformojë zonën hyrëse të Shkodrës në një korridor modern dhe funksional.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×