Mark Markez ka dominuar në Çmimin e Madh të Aragonit, duke treguar superfuqinë e tij në eventin e shtëpisë në Moto GP. Pasi kishte siguruar “pole position” dhe pas suksesit në garën Sprint, piloti i Dukatit ka kompletuar fundjavën perfekte, duke bërë të tijën edhe garën e madhe të së dielës. Markez tregoi edhe një herë se nuk njeh rivalë, duke dominuar në 23 xhiro në Motorland, për të shënuar triumfin e katërt sezonal, duke i forcuar gjithnjë e më shumë pozitat në krye të renditjes.
Vëllai i tij, Aleks Markez (Dukati Gresini), u rendit në vend të dytë, ndërsa podiumi i djeshëm në Aragon u kompletua nga piloti tjetër i Dukatit zyrtar, Françesko Banjaja. Ky i fundit e nisi mirë, duke luftuar më pas me Pedro Akostën, për t’iu afruar ndjeshëm edhe vendit të dytë. Me fitoren në Aragon, Markez thellon edhe më shumë nga ndjekësit, duke u shkëputur me 32 pikë nga i vëllai dhe me 93 pikë nga Banjaja. Gara nuk kishte histori, pasi Markez komandoi që nga kthesa e parë e deri tek e fundit.
Një provë force nga “Kanibali”, i cili në shënoi fitoren e tij të tetë në karrierë në Aragon, duke e mbyllur garën me mbi 2 sekonda avantazh nga Aleks Markez. Ky i fundit provoi fillimisht të rivalizonte, për t’i futur më pas “rremat në varkë”, duke u kujdesur më shumë që të mbrojë vendin e dytë ndaj sulmeve të vazhdueshme të Banjajës. Italiani duhet të kënaqet me vendin e tretë, duke rigjetur disi buzëqeshjen pas një të shtune zhgënjyese. Vendi i katërt për Pedro Akostën, ndërsa pas tij u renditën Frnako Morbideli dhe Fermin Aldeguer. Më tej, “top-10” u plotësua nga Joan Mir, Marko Bexeki, Fabio Di Xhanantonio dhe Raul Fernandez. Në zonën e pikëve u futën edhe Rins, Bastianini, Fernandez, Miler dhe Oliveira.
PROTAGONISTI Pas tripletës në Aragon, me “pole position”, Sprint dhe triumf në garën e madhe, gara e shtëpisë nuk mund të shkonte më mirë se kaq për Mark Markezin. Një dominim absolut në Motorland, të cilin piloti spanjoll e komentoi kështu pas garës së djeshme: “Ishte vërtet një fundjavë fantastike. Isha gjatë të gjithë kohës në krye, duke u treguar i kujdesshëm dhe i përqendruar. Të tjerët u afruan, por unë isha konstant dhe e mbrojta avantazhin. Kjo ishte mënyra më e mirë për të kthyer një podium tërësisht Dukati”, deklaroi ndër të tjera lideri i kampionatit të Moto GP-së, pas suksesit të djeshëm në Aragon. Ndalesa e radhës e Botërorit do të jetë Italia, me eventin e Muxhelos në fundjavën më 20-22 qershor.