
Një lodër pelushi me pamje të çuditshme, por tepër e dashur nga adhuruesit e koleksioneve, ka revolucionarizuar tregun dhe ka futur krijuesin e saj në listën e 10 personave më të pasur në Kinë.
Wang Ning, themeluesi dhe CEO i kompanisë kineze Pop Mart, ka hyrë për herë të parë në dhjetëshen më të pasur të vendit, me një pasuri që vlerësohet në rreth 22.7 miliardë dollarë. Kjo arritje i atribuohet suksesit viral të lodrës “Labubu”, një figurë pelushi që shitet në paketime të mbyllura (blind box) dhe që ka fituar një bazë të madhe adhuruesish brenda dhe jashtë Kinës.
Lodrat “Labubu” janë kthyer në një mani koleksionuese, shpeshherë me radhë të gjata në dyqane dhe shitje rekord online. Vetëm vitin e kaluar, Pop Mart gjeneroi 418 milionë dollarë të ardhura nga kjo lodër, duke e kthyer atë në një nga produktet më të suksesshme në industrinë e lodrave në Azi.
Një nga faktorët kyç të suksesit është edhe ndikimi i figurave të njohura të showbiz-it. Lisa nga grupi BLACKPINK, për shembull, është parë me një lodër Labubu në dorë, gjë që rriti ndjeshëm interesin dhe shitjet globale.
Me një vlerë tregu që ka kaluar 38 miliardë dollarë, Pop Mart po konsiderohet “Disney i ri i Kinës” për mënyrën se si ka përfshirë kulturën pop, koleksionimin dhe emocionin e surprizës në një produkt që dikur konsiderohej thjesht një lodër për fëmijë.
Wang Ning nisi Pop Mart në vitin 2010 në Pekin dhe sot, falë një ideje të thjeshtë, por gjeniale, është futur në elitën e miliarderëve aziatikë.