Godina për jetimët te Lungomare, në shënjestër për ndërtime/ Si u përvetësua prona publike në zemër të Vlorës. Vetting zbërthen aferën

Armand Kullau & Vjolanda Peca

Shteti dhe oligarkët kundra jetimëve
Të hënën e parë të shkurtit 2021, në zyrën e protokollit të Bashkisë Vlorë do të mbërrinte një letër nga Drejtoresha e Qendrës së Zhvillimit për Personat me Aftësi të Kufizuara Vlorë, Elida Grabova. Në brendësi të letrës gjendeshin detaje për rikonstruksionin e godinës, projekt i cili për shkak të fondeve të vakta të Qeverisë Shqiptare, do të realizohej plotësisht me donacionet nga Organizatat Ndërkombëtare. Drejtoresha Grabova ngrinte shqetësimin për gjendjen e ndërtesës pas restaurimit sepse kishte probleme të shumta. Por përmbajtja e letrës nuk do të zbulohej deri në momentin që në skenën e një skandali ndërkombëtar do të vepronte Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Alarmi i ngritur nga ky institucion, që kishte marrë sinjalizime për përvetësimin e ndërtesës dhe territorit ku shtrihej godina në dëm të interesave të fëmijëve jetim me nevoja të veçanta solli edhe investigimin e emisionit “Vetting”. Godina me një sipërfaqe totale 5400 m2 gjendet në zemër të shëtitores Lungomare me distancë tokësore rreth 150 metra nga deti, duke e bërë zonë të lakmueshme. Nga kërkimet e “Vetting” do të rezultonte se rikonstruksioni i godinës do të dështonte në sinkron nga të gjithë aktorët pjesëmarrës, duke filluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bashkia Vlorë dhe UNDP Albania. Dështimi i planit kombëtar të deinstitucionalizimit dhe mungesa e investimeve për këtë qendër ngrenë dyshime të forta se prapaskena e degradimit lidhet me zaptimin e një territori të ri për kulla nga oligarkët pranë qeverisë shqiptare.

Bashkia shkeli ligjin për procedurat ndërkombëtare
Zanafilla e investimeve në godinën e Vlorës fillon përpara programit të deinstitucionalizimit dhe lidhet me projektet dhe investimet e Qeverisë Shqiptare, e cila ka ngarkuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtyre projekteve.

Më 24 tetor 2016 Qeveria Shqiptare miratoi Programin e Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm me Kombet e Bashkuara 2017-2021”, duke mbështetur QZHPAK Vlorë nëpërmjet projektit “Leave no One Behind/Mos lër askënd pas”. Ky projekt synonte diversifikimin e shërbimeve që ofronte qendra, pra shërbimin rezidencial që të kombinohet me shërbime ditore komunitare. Qellimi i programit ishte që Bashkia Vlorë të mund t’i ofronte shërbimet e duhura një numri më të madh të fëmijëve me nevoja të veçanta.

Drejtoresha e Qendrës, Elida Grabova do të informonte Ministrinë se pasi personat përgjegjës nga UNDP Albania u njohën me ambientin dhe kushtet fizike të qendrës, të cilat sipas tyre nuk plotësonin kushtet e nevojshme për t’u implementuar projekti “LNOB”, vendosën që përpara implementimit të kryenin punime në ambientin ku ushtronte aktivitetin QZHPAK-ja.

Gjithashtu, drejtoresha ka theksuar se përpara se të angazhohej UNDP Albania për kryerjen e punimeve në ambient, kjo e fundit i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë mbi problematikat e kostatuara, përkatësisht lidhur me lagështirën, tualetet etj, që mbarte institucioni.

“Sfidë do të jetë gjithë kohën procesi i deinstitucionalizimit sepse nuk jemi të përgatitur për të përkrahur një ndryshim të institucionit sepse shoqërohet me një lloj rezistence të vazhdueshme që kur thuhet se po ndryshon diçka.” – u shpreh Orjola Rakipi, Psikologe.

Nisur nga kjo indicie si edhe nga propozimi i organizatës ndërkombëtare, Ministria e Shëndetësisë ka vijuar kontaktin me UNDP Albania. Nga rrethanat e krijuara, ndërmjet drejtoreshës së QZHPAK, personave nga UNDP Albania dhe zv. drejtoreshës së Shërbimit Social Shtetëror janë realizuar takime dhe komunikime elektronike për rikonstruksionin e ndërtesës.

Sipas auditit, për të miratuar deklaratën për kryerje punimesh në ndërtesë, në maj 2018, është kryer aplikimi online nga nënpunësi i Bashkisë Vlorë. Për të vërtetuar interesin e ligjshëm të aplikuesit me pronën, e cila është në pronësi të QZHPAK, ka shërbyer autorizimi i ish-kryetarit të Bashkisë Vlorë, drejtuar Agjencisë së Zhvillimit të Territorit me përmbajtjen “Në kuadër të aplikimit për leje infrastrukture, leje ndërtimi, leje për ndryshimin e projektit gjatë ndërtimit për projektet e zbatimit që Bashkia Vlorë do të zhvillojë.

Nga kërkimet e “Vetting” do të rezultonte se për nxjerrjen e masave paraprake për projektin e UNDP Albania janë kryer një sërë shkeljesh nga Bashkia Vlorë pasi marrëveshja në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe anglisht kontratat nuk përputhen me njëra-tjetrën. Auditi ka zbuluar se vendimi për miratimin e deklaratës së kryerjes së punimeve është miratuar përpara krijimit të marrëdhënies juridike civile ndërmjet UNDP Albania dhe Bashkisë Vlorë.

“Në qoftë se aty janë mbajtur procesverbalet në lidhje me investimet me fatura fiktive etj, kemi vepër penale të falsifikimit të dokumentave” u shpreh avokati Arben Llangozi.

Por përpara se të ndalemi te kontrata e zbatimit dhe gara e kompanive private, një element thelbësor është deinstitucionalizmi.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×