Kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ishte i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në Neës24, e moderuar nga Nisida Tufa, është i bindur se vota në Shqipëri deformohet. Ai priste që mazhoranca mos të kishte numrat për të krijuar qeverinë dhe për pasojë të krijohej një qeveri teknike për zgjedhje të parakohshme.
Lapaj thotë se ndryshimi i vullnetit të qytetarëve ndodh përtej kutisë së votimit. Sipas tij, Mekanizmat se si mund të ndalet janë të shumtë, por së pari duhet të ketë edhe ndërgjegjësim të madh qytetar.
Nisida Tufa: Si e shihni këtë atmosferë të këtyre ditëve?
Adriatik Lapaj: Vota në Shqipëri deformohet, pa diskutim. Ne jemi subjekti që kërkuam hapjen e kutive në Vlorë dhe Fier, e bëjmë këtë me vetëdije të plotë, që beteja është edhe për një votë, sepse çdo qytetar që na e ka dhënë votën duhet të adresohet. Kaq kemi në dorë, këtë do të bëjmë. Ndryshimi i vullnetit të qytetarëve ndodh përtej kutisë së votimit. Mekanizmat se si mund të ndalet janë të shumtë, por së pari duhet të ketë edhe ndërgjegjësim të madh qytetar, sepse përderisa një njeri vendos ta shesë votën, ne nuk mund të vendosim një polic për çdo njeri.
Nisida Tufa: Kur ju hytë në zgjedhje, i mbanit parasysh këto që thoni?
Nuk po ankohem, po them vetëm një fakt. Ky është realiteti i shoqërisë sonë, që po vuajnë qytetarët, nga spitalet deri te largimet masive. Mosha mesatare në Shqipëri shkoi mbi 44 vjeç. Kjo nuk është çështja e Adriatikut apo e Shqipëria Bëhet, por e një vendi. Ne po mundohemi sa të mundemi për ta kthyer ku duhet.
Jeni ende me idenë e zgjedhjeve të parakohshme?
Unë besoj te ndryshimi. Kam bërë një fushatë për të dhënë një mesazh, të jemi një alternativë reale. Përtej rezultatit të zgjedhjeve, është fakt që propozimi që ne kishim dhe kemi, ishte dhe është zgjidhja për Shqipërinë. Çfarë ka ndryshuar nga para zgjedhjeve? A është populli më entuziast, ka shpresë vërdallë? Ka ndryshuar ndonjë gjë në përditshmërinë e vendit tonë?
Po te Kryeministri, shihni ju diçka ndryshe?
Ai e di të vërtetën, atë të votës të Diasporës. E dinë edhe njerëzit. Isha nga të parët që e çova para procesin e votës së diasporës.
Ku e prisnit PS-në me kaq mandate?
Jo nuk e prisja, madje mendoja që mazhoranca nuk do të fitonte, të kishte nevojë për numra të tjerë për të bërë Qeverinë, në mënyrë që ta çonim vendin në zgjedhje të parakohshme. Kam besuar te kjo dhe kjo do të ishte zgjidhja ideale. Nëse do të kishte ndodhë, do të kishim një qeveri ekspertësh dhe profesorësh, për të përgatitur zgjedhjet e para demokratike në këtë vend.
()