Është zhvilluar këtë të martë takimi i nëntë tematik në kuadër të projektit të përbashkët te BE-se dhe Këshillit të Europës “Promovimi i Lirisë së Shprehjes në Shqipëri përmes Dialogut të Hapur”, në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës.
Synimi i takimit ishte krijimi i një hapësire dialogu mbi përqendrimin e medias dhe ndikimin e tij në pluralizëm, rëndësinë e garantimit të pavarësisë editoriale, si dhe nevojën për një qasje më të rregulluar e transparente ndaj reklamimit.
“Vlerësoj shumë praninë e mediave, pjesa më e madhe e tyre janë këtu, me ekspertë përfaqësues që njohin kompleksitetin e temës, një çështje që është kaq delikate, e përmendur dhe e diskutuar, qoftë për publikun, por edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare. Përpiqemi ta trajtojmë me maturi” – u shpreh Mark Marku.
Në qendër të diskutimit ishte paraqitja e rekomandimeve konkrete për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator mbi pronësinë dhe reklamimin në media, bazuar në standardet evropiane dhe praktikat më të mira.
“Janë këto indeksime që kanë mundësuar në këto 30 vjet një pluralizëm të mediave në Shqipëri. Këtë nuk duhet ta harrojmë, sepse ka një tendencë të vazhdueshme për t’i sulmuar në mënyrë të ashpër pikërisht ata që kanë guxuar të investojnë në tregun e mediave, që është një treg i vogël më shumë vështirësi nga pikëpamja ekonomike” – shtoi më tej Marku.
E ftuar ishte edhe Deirdre KEVIN, Konsulente për Tregjet dhe Rregullimin e Medias në Commsol, eksperte e Këshillit të Europës.
“Promovimi i Lirisë së Shprehjes në Shqipëri përmes Dialogut të Hapur” është një ndërhyrje që synon të nxisë dialog gjithëpërfshirës midis qeverisë, medias dhe aktorëve të shoqërisë civile në kuadër të angazhimeve të Shqipërisë për aderimin në BE, për një mjedis të përmirësuar të medias në linjë me standardet europiane” – tha ekspertja.
()