Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan ka finalizuar konfiskimin e 14 pasurive të shtetasit M.A., i dënuar më parë nga drejtësia italiane për shfrytëzim prostitucioni.
Vendimi u mor pas përfundimit të gjykimit të çështjes penale nr.808, të vitit 2017, ku u provua se M.A. kishte përfituar të ardhura nga veprimtari kriminale në Itali, të cilat më pas i kishte “pastruar” në Shqipëri përmes investimeve në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme. Sipas provave të sjella nga autoritetet italiane dhe hetimeve në Shqipëri, paratë ishin përdorur për të blerë prona dhe automjete luksoze, si dhe për të ngritur një biznes me aktivitet në tregtinë dhe qiradhënien e automjeteve në Elbasan.
Pasuritë e konfiskuara përfshijnë:
Një apartament në Durrës;
11 automjete të markave të ndryshme (Mercedes-Benz, Audi SQ7, Maserati, BMW, Suzuki, Fiat, Volkswagen, Jeep);
Një motoçikletë BMW;
Një biznes për tregti dhe qiradhënie makinash në Elbasan.
Prokuroria thekson angazhimin e saj për goditjen e pastrimit të parave dhe sekuestrimin e pasurive me origjinë kriminale.