Fatmir Mediu: Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, shtyllat ndihmëse të agresionit rus ndaj Ukrainës dhe kërcënim për sigurinë Evropiane

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka përshkruar Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut si shtyllat kryesore të mbështetjes për agresionin rus ndaj Ukrainës.

Ai theksoi rolin e tyre në minimin e sigurisë evropiane dhe në ndihmën që u ofrojnë Rusisë për të vazhduar luftën.

Mediu përmendi veçanërisht furnizimin me dronë nga Irani dhe bashkëpunimin ekonomik të Kinës me Moskën. Ai bëri thirrje për një qasje më të gjerë dhe të unifikuar ndaj kërcënimeve që këto vende paraqesin ndaj stabilitetit rajonal.

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË REPUBLIKANE, FATMIR MEDIU NË ASAMBLENË PARLAMENTARE TË OSCE-së

Faleminderit shumë!

Si mbështetje për këtë amendament, para së gjithash dua të falënderoj Senatorin Corning për këtë amendament, i cili e bën shumë më të plotë propozimin. Sepse pa përfshirë atë që zoti Corning shtoi, siç e dini, do të ishte tërësisht i paplotë. Ky amendament shton një referencë për bashkëpunimin e Rusisë me Republikën Popullore të Kinës dhe Republikën Islamike të Iranit në luftën e saj kundër Ukrainës, gjë që meriton të përmendet krahas bashkëpunimit të saj me Korenë e Veriut.

Kina është partneri më i fuqishëm i Rusisë, ashtu si edhe Republika Islamike e Iranit, të cilat po minojnë jo vetëm sigurinë dhe luftën për lirinë e Ukrainës, por gjithashtu po minojnë sigurinë e Evropës. Kina jo vetëm që ka mbyllur sytë ndaj mizorive të luftës së Putinit kundër Ukrainës, por ka mbështetur ekonominë dhe zinxhirët e furnizimit të Rusisë, duke minuar sanksionet dhe duke siguruar që Rusia të vazhdojë të ketë akses në para dhe materiale të domosdoshme për pushtimin e saj.

Ndërkohë, Irani e ka furnizuar Rusinë me qindra dronë vdekjeprurës që Kremlini i ka përdorur për të sulmuar civilët në Ukrainë, duke vrarë dhe gjymtuar njerëz të pafajshëm dhe duke shkatërruar infrastrukturë kritike.

Dua vetëm të shtoj se sulmi i SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit ka ndihmuar jo vetëm në stabilitetin në Lindjen e Mesme, por edhe në Evropë, si dhe ka forcuar faktorin ndëshkues ndaj Rusisë në raport me Ukrainën. E përgëzoj reporterin për përfshirjen e referencës për mbështetjen e Rusisë nga Bjellorusia dhe Koreja e Veriut, dhe i bëj thirrje kolegëve të mi ta mbështesin këtë amendament për të pasqyruar më mirë pamjen e gjerë të ndihmës së huaj që Putini ka marrë për agresionin e tij.

Jetojmë në një kohë kur duhet ta kuptojmë dhe të kemi një panoramë të plotë se çfarë përbën kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën. Faleminderit!


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×