Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po merr pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE, që zhvillohet në Porto të Portugalisë.
Në krye të një delegacioni të opozitës, Berisha, në fjalën e mbajtur sot para Asamblesë ka theksuar nevojën që Shqipërisë t’i kthehet institucioni i zgjedhjeve të lira,.
Ai i ka informuar pjesëmarrësit për zgjedhjet e 11 majit dhe sipas tij, shkeljet e “makinerisë elektorale të Edi Ramës”. Berisha vuri në dukje dhe raportin e OSBE.
Fjala e plotë:
E nderuara Zonja Presidente Gundrun Kugler,
Të nderuar anëtarë të pranishëm në këtë takim,
Ju falënderoj për këtë mundësi.
Jam këtu për të paraqitur situatën në Shqipëri në lidhje me zgjedhjet e 11 majit 2025.
Dëshiroj t’ju falënderoj, dhe gjithashtu t’ju informoj se zgjedhjet në Shqipëri ishin një farsë e paralajmëruar. Partitë e qendrës së djathtë në Europë dhe në mbarë botën, që nga tetori i vitit të kaluar, kanë miratuar njëzëri 5 rezoluta që paralajmëronin atë farsë që do të ndodhte në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri.
Dëshiroj të falënderoj anëtarët e Misonit vëzhgues të Asamblesë Parlamentarë të OSBE, që erdhën në Shqipëri për të vëzhguar këto zgjedhje, e gjej rastin ti falënderoj për punën që ata bënë.
Shqipëria është i parë dhe i vetmi narkoshtet në Europë.
Sa e vështirë është kjo për ne?
Europa ka njohur shumë lloje diktaturash, por kurrë më pare një narkodiktaturë.
Kjo është një diktaturë e një natyre tjetër. Edhe në këtë diktaturë të gjitha pushtetet përqendrohen në dorën e vetëm një personi, të Kryeministrit.
Por ashtu siç shkruante Samuel Huntington për këto lloj diktaturash, narkodiktatura karakterizohet nga fakti që asnjë ligj, asnjë rregull dhe asnjë parim nuk respektohet.
Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një narkodiktaturë. Për këdo që është i interesuar: ai këtë e ka bërë haptas dhe pa fshehur asgjë. Në këtë kuadër, Kryeministri i Shqipërisë, pak javë para zgjedhjeve, me dekret miratoi mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis, kryesisht pranë kufijve me vendet fqinj.
Ndërkohë në Amerikën Latine, janë 14 mijë shqiptarë që punojnë në kartelet e drogës, dhe disa prej tyre i drejtojnë këto kartele, si për shembull karteli i drogës Sinaloa.
Kartelet e drogës në Shqipëri janë direkt të lidhura me qeverinë dhe janë shumë të fuqishme: karteli Troplini/Poja kontrollon portin e Durrësit, portin më të madh të vendit dhe të rajonit. Karteli Çela i Elbasanit kontrollon autostradën e trafikimit të heroinës që vjen nga Lindja. Këto kartele janë shumë të fuqishme, emërojnë ministra, gjyqtarë, prokurorë, shefa policie, deputetë etj.
Kjo ishte situata me të cilën ne hymë në zgjedhjet e 11 majit.
Përveç këtyre në vitin elektoral, narkodiktatori Edi Rama, për të marrë mandatin e katërt, vendosi të arrestojë dy liderët kryesorë të opozitës (Sali Berisha dhe Ilir Meta) dhe të hapë proces penal ndaj Fatmir Mediut, kryetarit të forcës së tretë opozitare. Të gjitha këto pa asnjë akuzë penale. Gjithashtu, ai urdhëroi arrestimin e kryebashkiakëve dhe deputetëve të opozitës.
Ne kemi pasur në të kaluarën diktaturën më të ashpër, diktaturën staliniste, që nuk krahasohet me asgjë tjetër.
Në këto zgjedhje, është e vërtetë që kishte kandidatë të forcave të ndryshme politike. Por nga ana tjetër, të gjitha potencialet dhe burimet e shtetit u përdorën si instrument elektoral nga partia-shtet. Nga ana tjetër, ashtu si në diktaturat komuniste, të gjitha mundësitë financiare, burime të jashtëzakonshme, u përdorën për përfitime elektorale. E gjithë administrata publike, në shkelje të ligjit, është shndërruar në një rrjet patronazhistësh, cdo punonjes i saj duhet te kontrollojë një numër ta caktuar votuesish nëpërmjet keqpërdorimit të të dhënave personale. Çdo nëpunës civil ishte i detyruar të sillte 20 votues të tjerë që të votonin për Partinë Socialiste në pushtet.
E gjithë struktura qeveritare, të gjitha institucionet shtetërore, u përdorën për të dhënë në ditët e fundit para zgjedhjeve leje ndërtimi, leje legalizimi, certifikata pronësie e shumë shërbime të tjera publike. Po ashtu, mjete të tjera logjistike dhe i gjithë shteti u përdor në këto zgjedhje. Partia dhe shteti ishin NJË, ashtu siç u përmend në raportin paraprak të ODIHR.
Kjo është arsyeja pse procesi zgjedhor ishte një farsë e paralajmëruar.
Dita e zgjedhjeve ishte edhe më keq. Kartelet e drogës diktuan rezultatin për 28 deputetë, disa prej këtyre deputetëve ishin më të votuarit. Ata madje morën më shumë vota se vetë Kryetari i Partisë Socialiste (Kryeministri Edi Rama).
Momentalisht, po shqyrtojmë dhe analizojmë pamjet zyrtare (të siguruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve), të procesit në çdo qendër votimi, dhe po përgatisim video të shkurtra që evidentojnë shkeljet. Kemi vërejtur në shumë e shumë raste trenin bullgar (karusel), votim në grup, komisionerë që votojnë për zgjedhësit etj. Ka aq shumë parregullsi.
Pse jam sot këtu? Ne kemi qenë tashmë në Këshillin e Europës, në Parlamentin Europian. Por mendojmë që OSBE është themeluar mbi premtimin dhe detyrimin e vendeve anëtare për respektimin e votës së qytetarëve dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, sipas parimeve dhe standardeve të vendosura në dokumentin e Kopenhagës dhe konventa të tjera. Ne kemi besim të plotë që ky institucion, brenda misionit të tij, do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve te lira e të ndershme dhe krijimin e mjedisit që çdo parti të jetë në kushte të barabarta gare, dhe media te lirë, votim pa intimidime, ku çdo qytetar të ketë mundësinë e zgjedhjes së lirë dhe të informuar të kandidatëve, siç e përmend edhe Dokumenti i Kopenhagenit dhe raporti paraprak i ODIHR, OSBE, PE dhe PACE.
Mendoj se situata jonë është një situatë e veçantë.
Unë kam vetëm një kërkesë: të ndihmoni që Kombi im të votojë i lirë.
Pa një qeveri teknike, shqiptarët nuk do të kenë mundësi të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ndaj sot, në emër të opozitës shqiptare, kërkoj nga ky institucion i nderuar:
– Së pari, të mbështesni raportin paraprak të ODIHR (Gjithçka që ju përmenda është e shkruar në raportin paraprak të ODIHR).
– Së dyti, iu bëj thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndjekin rekomandimet e shkruara në raportet e fundit të OSBE-ODIHR, që prej vitesh kanë mbetur të pa zbatuara për shkak të mungesës së vullnetit të narkoqeverisë.
Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe është jetike për vendin tim, që ndodhet në një moment shumë të vështire.
Faleminderit shumë për vëmendjen!