Emisioni investigativ Vetting, News
Tre denoncime ishin bërë në Polici ndaj Ilir Koçiljas, autorit të vrasjes së Halil Kokës në Durrës. Autori njihej si person i dhunshëm dhe problemik në lagje. Policia ishte në dijeni, por askush nuk ndërhyri.
“Shteti qëndroi shumë indiferent. Policia ishte në dijeni. Tre herë djali im Halili bëri denoncime. Nuk deshi të merrej vetë me vrasësin sepse ai ishte një person shumë i dhunshëm. U desh që të vritej djali im që ai të arrestohej. Kishte mundësi që djali të ndërtonte jetën e vet, nëse shteti dhe policia e Durrësit do kishin marrë masa”, shprehet mes lotëve e moshura Namire Koka, e cila jeton tashmë e vetëm, pasi edhe bashkëshorti i ka ndërruar jetë.
Tani, ajo nuk ka më të birin. Dhe asnjë informacion. Hetimet për vrasjen vazhdojnë, por nuk ka asnjë shkresë, asnjë njoftim zyrtar, asnjë fjalë nga Prokuroria. Ndërkohë, nëna Namira ka vendosur të largohet nga shtëpia dhe lagjja ku jetoi prej shumë vitesh, aty ku rriti edhe Halilin. Ajo thotë se do ndjekë deri në fund ndëshkimin e autorit, edhe pse Prokuroria, sipas saj, nuk e ka dërguar ende çështjen për gjykim edhe pse ngjarja ka më shumë se një vit e gjysëm që ka ndodhur.
Nënë Namira shprehet: “I kërkoj Prokurorisë një informacion, sepse nuk kam asgjë – asnjë njoftim mbi ecurinë e hetimeve për djalin tim. Është e drejta ime. Më ka ikur djali i vetëm. Dua drejtësi. Të paktën një letër zyrtare që të më tregojë se çfarë po ndodh. Nuk di asgjë që nga momenti i ngjarjes”.
Në fund, ajo mbetet me një barrë të rëndë: dhimbjen e një nëne, zhgënjimin ndaj shtetit, dhe ndjenjën e thellë se kjo tragjedi mund të ishte shmangur – nëse dikush do kishte vepruar me kohë.
“Policia duhej të kishte reaguar shumë më herët. Një denoncim i parë, i dytë, i tretë… Atje duhet të jenë të gjitha kallëzimet. Nuk ka qenë vetëm djali im kur bëri denoncimet. I kanë thënë: ‘Ik, nga kush ke frikë ti? Nga ai?’ A jetojmë në një shtet që tregohet kaq indiferent ndaj njerëzve të dhunshëm dhe problematikë? Vrasësi ishte shumë problematik në lagje”, shprehet Namire Koka.
()