Partia Demokratike i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkon vënien në dispozicion të pamjeve filmike nga të gjitha qendrat e votimit në vend, si dhe informacion të detajuar mbi mënyrën e kthimit të zarfeve të votave të diasporës, nëse janë dorëzuar dorazi apo përmes kanaleve të autorizuara si DHL.
Në këtë kërkesë, PD ka përfshirë edhe një ankesë kundër kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, duke e akuzuar se jo vetëm nuk ka vënë në dispozicion materialet e kërkuara, por edhe se një pjesë e pamjeve filmike rezulton me ndërprerje, veçanërisht në pjesët ku zhvillohet procesi i numërimit të votave, duke ngritur dyshime për ndërhyrje të qëllimshme.
Për kërkesën është vënë në dijeni edhe misioni i OSBE/ODIHR, ndërsa dokumenti është dorëzuar zyrtarisht nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri. Kërkesa pritet të shqyrtohet në vijim nga KQZ.