Mjeku i njohur Ilir Alimehmeti ka ngritur alarmin për rreziqet shëndetësore që shoqërojnë sezonin e verës, gjatë një interviste në emisionin Medicus në News24. Ai theksoi se përveç motit të ngrohtë dhe lëvizshmërisë së lartë të popullsisë, infeksionet bakteriale e virale gjejnë terren të favorshëm për t’u përhapur.
“Vera sjell kontakte më të shpeshta mes njerëzve dhe ekspozim të shtuar ndaj ambienteve të hapura, insekteve, ushqimeve të konservuara keq dhe ujit të ndotur. Të gjitha këto rrisin rrezikun për sëmundje infektive,” u shpreh Alimehmeti.
Ai veçoi ujin e ndotur si një nga burimet më të zakonshme të infeksioneve gastrointestinale dhe të lëkurës. “Duhet të kemi kujdes me ujin sipërfaqësor, pasi mund të jetë burim infeksionesh kur përdoret për larje apo për përgatitjen e ushqimeve. Problemet më të shpeshta janë infeksionet e veshit dhe të lëkurës, veçanërisht te fëmijët,” shtoi mjeku.
Ndërkohë, për infeksionet gastrointestinale, ai paralajmëroi se simptomat si të përziera, marrje mendsh, diarre apo dizenteri mund të shfaqen shumë shpejt pas konsumimit të ushqimeve të kontaminuara ose me yndyrë të lartë. Sipas tij, në raste të lehta, trajtimi mund të bëhet në kushte shtëpie, por në raste të zgjatura kërkohet ndërhyrje mjekësore.
Alimehmeti theksoi se veçanërisht te fëmijët, duhet të tregohet kujdes i shtuar kur shfaqen simptoma të tilla si plagë në fytyrë apo gojë, pasi mund të jenë sinjale të infeksioneve të rënda.