Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka nderuar me respekt të thellë kapitenin 51-vjeçar nga Shkodra, Arben Anamali, i cili humbi jetën në një akt heroik duke shpëtuar dy turistë nga mbytja.
Përmes një mesazhi publik, Kreu i Shtetit e cilësoi veprimin e Anamalit si një dëshmi të shpirtit të lartë njerëzor dhe një model të rrallë shoqëror që meriton nderim përjetë.
“Nderim përjetë Arben Anamalit, kapitenit 51-vjeçar nga Shkodra, për aktin heroik të shpëtimit të dy turistëve nga mbytja, duke dëshmuar një model shoqëror dhe shpirt heroik,” u shpreh Presidenti Begaj.
Ai shtoi se është pranë familjes në këto momente të vështira dhe ndau dhimbjen me të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan për jetën dhe kontributin e tij.
“Jam pranë familjarëve të tij në këto momente të vështira dhimbjeje”, përfundoi Presidenti.
()