
Ndeshja e zhvilluar më 28 qershor nga boksieri Drilon Rama ka tërhequr vëmendje të madhe, jo vetëm për rezultatin, por edhe për ngjarjet që e shoqëruan.
Fillimisht, Rama pritej të përballej me një boksier nga Tanzania, i pamposhtur deri më tani. Por vetëm pak ditë para përballjes, ky kundërshtar u zëvendësua papritur me një tjetër, i cili kishte një seri prej mbi 20 humbjesh radhazi. Ky ndryshim ngriti shumë pikëpyetje dhe u komentua gjerësisht në rrjete sociale dhe media.
Vetë boksieri afrikan, në një deklaratë për “Prive by Liberta Spahiu”, sqaroi se nuk kishte pësuar ndonjë dëmtim, por ishte pamundësuar për të udhëtuar për shkak të një problemi me vizën.
Ndërkohë, zhvillime të tjera kanë dalë në dritë pas përfundimit të ndeshjes. Sipas të dhënave në BoxRec – databaza më e njohur ndërkombëtare për boksin profesionist – Drilon Rama është pezulluar deri në fund të këtij muaji. Ky pezullim njëmujor lidhet me dëmtimin që i shkaktoi kundërshtarit të tij gjatë meçit.