Kryesia e Partisë Demokratike vendosi vetëm pak më parë të mos njohë zgjedhjet vendore të 11 majit, duke i cilësuar ato si një proces të manipuluar dhe farsë elektorale.
Gazetari Erl Murati, teksa ka analizuar situatën politike dhe deklaratat e dhëna sot për mundësinë e protestave, ka deklaruar se opozita është në një trajektore të gabuar, ndërsa ajo që duhet të ndodhte ishte zbatimi i Statutit të partisë për largimin e kreut në rast humbjeje të zgjedhjeve.
Murati ka shtuar se duhet një analizë brenda partisë që të kuptohen shkaqet dhe arsyet që c çuan në një rezultat si ai i 11 majit, rezultat që tashmë PD nuk e njeh.
Ai ka shtuar se pavarësisht se një nga vendimet e marra në Kryesi sot ishte mos njohja e zgjedhjeve, vetë fakti që të premten deputetët e PD do të jenë në seancë, nënkupton njohjen e tyre.
“Kërkojnë të sensibilizojnë opinionin për situatën,. Jam skeptik pasi kemi parë që protestat kanë ardhur duke u bjerrur dhe nuk ishin si ato të 10 apo 15 vitet më parë që nga faktori i brendshëm e dire në sensibilitetin e jashtëm. Opozita ndjek një trajektore të gabuar sa i përket zgjedhjeve. Sa kohë që hyhet në Kuvend kemi njohje të legjitimitetit të zgjedhjeve, Opozita duhet të hedhë një vështrim nga vetja që të shohë faktorët që e çuan në këtë pikë dhe në këtë rezultat.
Mjafton të zbatohet Statuti i PD, që sanksionon se kryetari duhet të largohet kur humben zgjedhjet dhe hapet gara për drejtuesin e ri”, tha ai.