Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot zyrtarisht përbërjen e qeverisë së re gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste, duke shënuar fillimin e mandatit të tij të katërt në drejtimin e vendit.
Në një fjalim me tone të forta politike dhe mesazhe të qarta për sistemin e drejtësisë, Rama e cilësoi reformën në drejtësi si “prova e zjarrit” për Partinë Socialiste dhe theksoi se kjo betejë do të vazhdojë, pavarësisht dhimbjeve që ajo sjell.
“Drejtësia për 100 e kusur vjet nuk ishte as e lirë as e pavarur. Ne do i durojmë gjithë dhimbjet e këtij procesi historik,” u shpreh Rama, duke theksuar se Partia Socialiste nuk do të tërhiqet nga mbështetja për drejtësinë, edhe kur ajo godet persona të lidhur me politikën.
Megjithatë, Rama theksoi se Partia Socialiste është e vendosur të mos lëkundet në mbështetjen për sistemin e ri të drejtësisë, duke e konsideruar atë si një mision historik që i shërben gjeneratës tjetër të Shqipërisë.
“Forca jonë e madhe i ka hapur një shteg të ri drejtësisë… jam krenar për PS që thotë atë që bën dhe bën atë që thotë për lirinë, pavarësinë dhe mbështetjen e madhe politike e financiare, pa kushte, të prokurorëve dhe gjykatësve në tërësi.”