Investigimi i Vetting/ Si lidhet drejtori i Belinda Ballukut, Ermal Nufi me sulmin ndaj News24

Vetting

Ermal Nufi, njeri në prapaskenën e “News24”
Më 9 gusht 2025, redaksia e emisionit investigativ “Vetting” në News24 u godit nga një ndërhyrje e paprecedentë. Policia e Shtetit, së bashku me policinë ushtarake, hyri në ambientet e televizionit, boshatisi zyrat dhe ndërpreu punën e gazetarëve.

Çdo gjë u bazua te një urdhër i padukshëm, që nuk kishte vulën institucionale deri në publikimin e këtij materiali. Por për ata që kishin ndjekur investigimin e shkurtit 2025 nga redaksia e “Vetting”, kishte një fije të hollë që lidhte cdo gjë, e cila fillonte nga Këshilli i Mbikqyrës i kompanisë “KAYO” sha dhe përfundonte te emisioni investigativ.

Në dokumentarin e shkurtit 2025, “Vetting” kishte ekspozuar konfliktet e interesit të avokatit Ermal Nufi, Drejtori i kabinetit në zv.kryeministri të Belinda Ballukut. Në shtator 2024, kur do të krijohej kompania publike “KAYO” sha, Nufi do të emërohej kryetar i Këshillit Mbikqyrës të kompanisë, ku vazhdon të jetë aktualisht. Pikërisht ky Këshill, sipas ligjit, ka kompetenca të jashtëzakonshme pasi miraton strukturën dhe organikën e shoqërisë, planet e biznesit dhe investimet, përcakton pagat dhe shpërblimet, krijon komitete të posaçme për përputhshmërinë ligjore, miraton procedurat e kontraktimit të konsulentëve dhe të bashkëpunëtorëve.

Mbi të gjitha, ka të drejtën të miratojë procedurat e hollësishme konkurruese dhe kontratat me subjekte private apo publike në fushën e armëve dhe pajisjeve ushtarake.

Sipas avokatit Llangozi, rasti i Ermal Nufit me emisionin “Vetting” ka indicie për një konflikt të mundshëm interesi.

“Nëse në këtë rast, redaksia “Vetting” ka ekspozuar ose demaskuar këtë person, ky rast duhet hetuar nga Prokuroria e Posaçme dhe duhen verifikuar edhe subjektet që ky person ka si rasti i fondacionit”, u shpreh avokati Llangoi për “Vetting”.

Detaj i rëndësishëm është se vota e kryetarit Ermal Nufi, në rast barazimi, është vendimtare. Në letër, anëtarët e këshillit udhëhiqen nga parimi i mirëbesimit, integritetit dhe pavarësisë, ndërsa procesverbalet e mbledhjeve janë të detyrueshme të mbahen dhe depozitohen.

Por si lidhet “KAYO” sha me “Vetting” dhe Ermal Nufin?

Në 20 shkurt 2025, “Vetting” do të publikonte lidhjet e Ermal Nufit dhe konfliktin e interesit. Për të kuptuar shkeljen, duhet të specifikojmë datat dhe ngritjen në detyrë të Ermal Nufit.

Në 29 qershor 2022, Këshilli i Ministrave do të emëronte si kryetar të Bordit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Nufin dhe 3 ditë më pas, në 1 korrik 2022, ortaku i vëllait të Nufit, Edmir Nufi do të fitonte tenderin nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me vlerë 879 milionë lekë ose 879 mijë euro, duke qenë ortak njëkohësisht në një kompani tjetër.

Sipas nenit 11 të ligjit për Autoritetin Rrugor Shqiptar, Bordi i Autoritetit Rrugor Shqiptar përcakton politikat e biznesit të Autoritetit, vendimet që rregullojnë veprimtarinë, si dhe miraton programet e brendshme vjetore dhe të buxhetit korrespondues të Autoritetit.

Ndërkohë sipas nenit 12 vijues të po këtij ligji, Drejtori i Përgjithshëm është menaxheri i përgjithshëm i Autoritetit dhe vepron sipas autoritetit të deleguar nga Bordi, duke i raportuar drejtpërdrejt atij. Madje një nga kushtet për tu bërë anëtar i Bordit të Autoritetit Rrugor Shqiptar sipas nenit 9, pika “d” të ligjit për Autoritetin Rrugor Shqiptar është që anëtari të mos jetë në konflikt interesi me detyrën.

Por Ermal Nufi nuk është thjesht një emër në një kompani shtetërore. Pas diplomimit si avokat, Nufi ka punuar si konsulent ligjor në sektorin privat dhe atë të organizatave jofitimprurëse. Nga viti 2021 Nufi ka mbajtur pozicionin e këshilltarit ligjor të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ka shërbyer në pozicione të ndryshme brenda administratës publike shqiptare.

Ai është pjesë e kabinetit të zv.Kryeministres Belinda Balluku, duke u bërë nyje lidhëse midis qeverisë dhe vendimmarrjeve ekonomike më të rëndësishme. Përveçse kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të KAYO sha, Nufi ka një numër të lartë postesh të tjera si anëtar i bordit të Kadastrës, anëtar i bordit të Albpetrol, kryetar i bordit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, kryetar i Bordit të Informacionit Gjeohapësinor (BIG), një organ këshillimor, i ASIG-ut dhe i Këshillit të Ministrave, për të realizuar krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit gjeohapësinor në vend.

Sipas avokatit Arben Llangozi, nuk është e mundur që një njeri të jetë në disa pozicione njëkohësisht duke kryer detyrën.

“Kjo çështje duhet hetuar dhe duhet ti shkohet deri në fund nga Prokuroria. Ne kemi parë që shumë drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë krijuar kompani apo subjekte me anë të të cilave kanë përfituar në mënyrë indirekte fonde nga buxheti i shtetit”, deklaroi avokati Llangozi për “Vetting”. Njëkohësisht Nufi është anëtar i bordit të Marinës së Durrësit, si dhe drejtues i një organizate jofitimprurëse Fondacioni “Besëlidhja e Kishës së Re”.

Në këtë fondacion, Nufi rezulton si themelues me Kozma Seferaj dhe Ermal Temëm. Për herë të parë, të gjitha këto funksione të shumta dalin në dritë si një tablo e plotë, duke treguar një përqendrim të lartë pushteti në një individ të vetëm. Ky grumbullim funksionesh nuk është rastësi, por një model i pushtetit në hije. Përmes Autoritetit Rrugor Shqiptar, ku Nufi është kryetar bordi, janë dhënë tendera për kompaninë e vëllait të tij, duke e bërë më të qartë se ky pushtet nuk është ndërtuar për publikun, por për rrethin e ngushtë familjar.

OJF-ja që ai drejton i shton një tjetër dimension profilit të tij, në letër shfaqet si instrument shërbimi publik, por në realitet është pjesë e mozaikut të pushtetit që e forcon ndikimin e tij shoqëror dhe politik. Vetting i ka bërë kërkesë për informacion për deklarimet e pasurisë të Ermal Nufit Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

Prej muajit shkurt 2025, e deri në publikimin e këtij materiali, institucioni që drejtohet nga Evgjeni Bashari refuzon të vendosi në dispozicion informacionet publike për zyrtarët e lartë. Ndërhyrja te “Vetting” nuk ishte një episod i izoluar.

Ajo ishte një akt që lidhej drejtpërdrejt me ekspozimin e bërë në shkurt 2025 dhe me interesat e një njeriu që zotëron një rrjet funksionesh të lidhura ngushtë me pasuritë publike të vendit.

Goditja ndodhi pa procedurë dhe pa shkresë.

Në këtë pikë, pyetja nuk është më kush dha urdhrin për ndërhyrjen te “Vetting”. Pyetja është si ka mundësi që një shtet, i ndërtuar mbi ligjin dhe procedurat, të veprojë si një organizatë mafioze, ku vendimet e mëdha merren prapa dyerve të mbyllura, ku besnikëria shpërblehet dhe pabesia ndëshkohet dhe ku dokumenti, vula, procedura nuk vlejnë më.

Madje pasuria shtetërore në Shkozë evidentoi tentativat e qeverisë shqiptare për të dhunuar jo vetëm median, por edhe pavarësinë e pushtetit vendor dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×