Gjergj Leka rikthen në ekranin e News24 programin “Na ishte njëherë muzika”

Emisioni i dashur për publikun, “Na ishte njëherë muzika”, rikthehet edhe këtë sezon në ekranin e News24, duke shënuar vitin e tetë të transmetimit të tij. Ideuar dhe drejtuar nga artisti i njohur Gjergj Leka, ky program është kthyer në një udhëtim të pazëvendësueshëm për dashamirësit e muzikës së mirëfilltë.

Në një kohë kur muzika shpesh shihet si produkt komercial, “Na ishte njëherë muzika” vjen për të sjellë një qasje ndryshe, një rikthim tek thesari i muzikës shqiptare dhe asaj botërore, duke risjellë në ekran tinguj që kanë lënë gjurmë në kulturën e brezave.

Përmes përzgjedhjeve të kujdesshme dhe rrëfimeve plot emocion, Gjergj Leka fton publikun të përjetojë muzikën si art, dhe jo si mall konsumi.

I njohur për qasjen e tij të drejtpërdrejtë dhe kritike ndaj fenomeneve që kanë larguar muzikën nga autenticiteti, Leka i jep programit një dimension të veçantë; ai nuk është thjesht prezantues, por një artist që flet me autoritetin e krijuesit dhe njohësit të thellë të historisë së artit muzikor. Kështu, emisioni bëhet jo vetëm një retrospektivë e së kaluarës, por edhe një thirrje për të mbrojtur vlerat e muzikës së vërtetë.

“Na ishte njëherë muzika” do të transmetohet çdo të shtunë në orën 21:00 në News24, ndërsa ritrasmetimi mund të ndiqet të dielën në orën 14:30.

Që nga ky edicion do të ketë akoma më shumë bashkëveprim me teleshikuesin si dhe do të promovohen zëra të rinj me interpretime të kryeveprave botërore.

Një udhëtim që e lidh nostalgjinë me aktualitetin dhe që i jep publikut një hapësirë ku muzika mbetet e pastër, e bukur dhe e paharruar.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×