Muzika është një mënyrë për të bashkuar brezat. Kitaristi Rudolf Schenker, themelues i grupit të njohur muzikor gjerman, “Scorpions” e nis kështu bisedën mbi koncertin e të dielës në mbrëmje. I përshkruar si një artist, filozofia e të cilit është ndërtimi i urave dhe krijimi i harmonisë, mes kulturave të ndryshme përmes muzikës, ai foli për muzikë si komunikim edhe kur sjell “Erë ndryshimi”.
“Muzika lidh brezat dhe kjo është fantastike. Muzika është për të festuar e shijuar dhe ne na pëlqen kur njerëzit na japin dashuri, lumturi e energji. Në fillim të viteve ’80, erdhëm me idenë të luajmë kudo në botë, edhe në Rusi, që të tregojmë se nga Gjermania nuk vijnë për luftra, por për dashuri, paqe dhe rock and roll. Dashuria vjen me “Still Loving You”, paqja me “Wind of change”, dhe roku me “Rock You Like a Hurricane”. Mendoni, “Wind of change” u bë përgjigja e revolucionit më paqësor në botë, asnjë plumb, asgjë, vetëm muzikë”, u shpreh Rudolf Schenker, themelues i “Scorpions”.
Schenker, figura lider e grupit që ka shënjuar historinë e muzikës që nga vitet 1960, në konferencë u shoqërua nga bateristi Mikkey Dee. Dy artistët kërkuan të shmangin qëndrimet politike, duke riardhur në Tiranë pas 20 vitesh te një publik, që ka njohur privimet e ndalimet e komunizmit dhe i ka ndërtuar ëndrrat, shpesh duke u frymëzuar muzikë e tekste si “Wind of change”, “Rock You Like a Hurricane”, “Send me an angel”, “Still Loving You” apo “Always Somewhere”.
“Publiku ynë janë prindër dhe fëmijë bashkë dhe kjo është madhështore për ne. Ne nuk duam të politizojmë koncertin tonë dhe nuk kemi agjenda politike. “’Wind of Change’’ ka bërë diçka fantastike, por ne jemi këtu që tu argëtojmë, që tú shkëpusim nga jeta e përditshme”,
tha Mikkey Dee.
Me një karrierë që shkon në 6 dekada, më se 100 milionë disqe të shitura dhe turne në çdo kontinent, Scorpions janë më shumë se një grup muzikor – ata janë një simbol i gjallë i muzikës rock.
© BalkanWeb