Skuadra e Elbasanit ësh të në prag të një tjetër sfide të rëndësishme në Superiore, teksa këtë të diel do të përballet me Dinamon, një kundërshtar që shpesh është parë si “mace e zezë” për verdheblutë. Para ndeshjes, trajneri Ivan Gvozdenoviç ka dalë para mediave, duke ndarë gjendjen e skuadrës dhe pritshmëritë e tij për takimin.
Në fjalën e tij, tekniku serb u shfaq i qetë dhe realist, duke pranuar se skuadra ka disa dilema në formacion për shkak të dëmtimeve, por theksoi se besimi tek grupi mbetet i palëkundur: “Deri tani jemi në rregull, ku shumicën e lojtarëve e kam gati. Janë me pikëpyetje dy prej tyre, por do të vendosim sesi do të shkojnë gjërat para ndeshjes. Edhe ndaj Egnatias patëm mungesa, kjo është situata. Kam një skuadër të mirë, 24 lojtarë dhe kam besim tek të tjerët që janë të gatshëm. Sigurisht që do të donim t’i kishim të gjithë lojtarët, por gjithsesi do të shohim përpara me kontingjentin që kemi në dispozicion. Nuk do të bëjmë alibi, i kemi lojtarët dhe jemi të gjithë gati”, tha Gvozdenoviç.
STATISTIKAT NUK VLEJNË – Në histori, Dinamo ka qenë shpesh një pengesë e madhe për Elbasanin, duke dalë në shumë raste fituese nga përballjet mes tyre. Por për trajnerin verdheblu, çdo takim është një kapitull i ri. “Është e vërtetë që janë si ‘mace e zezë’, por ne nuk shohim statistikat. Çdo ndeshje është një histori më vete dhe një tjetër mundësi. Këtë të diel është edhe një mundësi për ne”, u shpreh ai.
OBJEKTIV FITORJA – Që në nisje të sezonit, Elbasani ka treguar se synon të jetë kompetitiv në çdo javë. Pas fitores me Flamurtarin dhe sfidës së fortë ndaj Egnatias që u mbyll në barazim, tashmë skuadra kërkon të marrë maksimumin kundër Dinamos. “Gjithnjë është shumë e rëndësishme të fitosh. Kur filloi kampionati donim të fitonim me Flamurtarin, më pas me Egnatian dhe tani me Dinamon. Çdo javë është shumë e rëndësishme, çdo fitore po ashtu, si nga ana morale, por edhe sa i përket pikëve”, tha Gvozdenoviç, duke e bërë të qartë se skuadra nuk do të kënaqet me më pak se tre pikët.
FILOZOFIA E LOJËS – Trajneri i Elbasanit kërkon që skuadra e tij të ruajë ekuilibrin në fushë, duke mos e humbur kurrë balancën mes fazës ofensive dhe asaj mbrojtëse. “Do të luajmë në ekuilibër, sepse i tillë është futbolli. Do të sulmojmë dhe do të mbrojmë të gjithë bashkë”, nënvizoi ai.
© BalkanWeb