Pritet që kjo të jetë një javë shumë e ngjeshur me aktivitete, në pritje të nisjes së punës së kabinetit të ri qeverisës.
Gazetari Ergys Gjençaj raporton se nesër pritet që në kuvend të mbahen dy seanca E para pritet të nisë në orën 10:00 të paradites, ku do të konstituohet struktura e re dhe organet kryesore të Kuvendit.
Ndërkohë në seancën e pasdites, që nis në orën 17:00 pritet votimi i strukturës së re apo numrit të komisioneve.
Pritet që socialistët të propozojnë rritjen e numrit të komisioneve duke i ccuar në 11, 7 prej të cilave do të drejtohen nga Partia Socialiste dhe 4 nga opozita.
Ndërkohë pas diskutimit në Këshillin e Mandateve, pasdite do të votohet propozimi i PS për ndryshimin e numrit të komisioneve.
Të enjten paradite do të mbahet një seancë maratonë ku do të prezantohet programi politik i qeverisë së re. Diskutimet pritet të vijojnë deri të premte.
Ndërkohë presidenti Bajram Begaj pritet të dekretojë Këshillin e Ministrave që do të votohet të premten. Më pas trupa të shkojë në Presidencë për betimin që të nisë puna normalisht.
© BalkanWeb