Shqipëria do të hapë nesër edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Vendi ynë do të mbajë më 16 shtator, me ftesë të Danimarkës, Konferencën e 6-të Ndërqeveritare me BE.
Takimi do të shërbejë për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grupin 4 “Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme”, duke përfshirë kapitujt 14 (Politika e transportit), 15 (Energjia), 21 (Rrjetet transevropiane) dhe 27 (Mjedisi dhe ndryshimet klimatike).
Takimi i nesërm në Bruksel pritet të bashkëdrejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja për Çështjet Evropiane të Danimarkës, Marie Bjerre.
Sipas agjendës Konferenca Ndërqeveritare pritet të nisë në orën 08:00, teksa konferenca për shtyp është planifikuar rreth orës 09:15 dhe Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së do të pasojë në orën 10:00.
“Palët do të fillojnë duke miratuar agjendën e takimit dhe duke miratuar procesverbalet e KNQ-ve të mëparshme të mbajtura në prill dhe maj të këtij viti. Kjo do të pasohet nga fjalimet hapëse, së pari nga ministrja e Danimarkës Bjerre në emër të presidencës së Këshillit të BE-së, pastaj nga kryeministri Rama dhe hapja e negociatave për grupin 4, bëri të ditur një zyrtar i BE për ATSH-në.
Ministrja e Danimarkës do të paraqesë të ashtuquajturin “Qëndrim të Përbashkët të BE-së”, siç është rënë dakord nga BE-ja, dhe do t’i kërkojë kryeministrit Rama nëse Shqipëria mund të bjerë dakord me hapjen e këtij grupi.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos do të japë gjithashtu vërejtjet e saj në këtë drejtim. Kryeministri Rama do të paraqesë qëndrimin e Shqipërisë.
Në fund do të ketë disa fjalime të shkurtra përmbyllëse nga delegacioni i BE-së, ministrja e Danimarkës, Marie Bjerre dhe Komisionerja Marta Kos, si dhe nga kryeministri Rama, me të cilat takimi do të përfundojë zyrtarisht.
Më 24 mars 2020 ministrat për Çështjet Evropiane dhanë miratimin politik për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky vendim u miratua me procedurë të shkruar dhe u mbështet nga Këshilli Evropian.
Më 19 korrik 2022 u mbajt Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, që shënoi zyrtarisht hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Më 15 tetor 2024 u mbajt Konferenca e dytë, ku u hapën negociatat për Grup-kapitullin 1 – Themeloret.
Më 17 dhjetor 2024 u mbajt Konferenca e tretë, ku u hapën negociatat për Grup-kapitullin 6 – Marrëdhëniet e jashtme.
Më 14 prill 2025 u mbajt Konferenca e katërt, e cila u fokusua në Grup-kapitullin 2 – Tregu i brendshëm, dhe ku BE vendosi gjithashtu kriteret për mbylljen e përkohshme të kapitujve të këtij grupi.
Më 22 maj u mbajt në Bruksel Konferenca e pestë Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kjo konferencë shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi grup-kapitullin 3: “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”. Në këtë grup-kapitull përfshihen: Kapitulli 10 – Transformimi digjital dhe media; Kapitulli 16 – Taksat; Kapitulli 17 – Politika ekonomike dhe monetare; Kapitulli 19 – Politika sociale dhe punësimi; Kapitulli 20 – Politika për ndërmarrjet dhe industrinë; Kapitulli 25 – Shkenca dhe kërkimi; Kapitulli 26 – Arsimi dhe kultura; Kapitulli 29 – Bashkimi doganor./ ATSH
© BalkanWeb