Seanca ndaj Berishës në GJKKO, avokati i kreut të PD, Gjokutaj: Mungon fakti penal, procesi është i pavlefshëm

Avokati i kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, Genc Gjokutaj, i ftuar sot në studion e News24, ka komentuar zhvillimet më të fundit në procesin gjyqësor ndaj klientit të tij në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Ai ka ngritur një sërë shqetësimesh për pavlefshmërinë e procedurës dhe ka hedhur akuza të forta ndaj organit të akuzës dhe trupit gjykues.

Gjokutaj tha se përplasja e datave mes paraqitjes në SPAK dhe seancës gjyqësore nuk ishte rastësore dhe e quajti “ekstraligjore” detyrimin për t’u paraqitur në SPAK gjatë një procesi gjyqësor. “Në gjykim personi është prezent ose i përfaqësuar. Këto janë parime të vendosura. Por ata insistojnë, megjithatë ne jemi fokusuar te eshtra e procesit – pavlefshmëria dhe mungesa e faktit penal,” u shpreh ai.

Sipas avokatit, prokuroria ka vepruar përtej kompetencave të saj duke marrë rolin e institucioneve kushtetuese si Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi. “Prokurori e ka orientuar hetimin mbi përshtypjet e tij personale. Kjo e bën të gjithë procesin të pavlefshëm,” shtoi ai, duke theksuar se vendimet për të cilat akuzohet Berisha janë vendime kolegjiale dhe se ai ka firmosur vetëm në përputhje me Kushtetutën.

Gjokutaj nuk kurseu as kritikat ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila sipas tij, nuk plotëson kushtet ligjore për të ushtruar këtë detyrë. “Kjo është gjyqtarja e opozitës, e caktuar nga Rama për të gjykuar opozitën. Ajo duhet të ishte tërhequr për veprimet e saj dhe jo të japë drejtësi kur vetë ka falsifikuar dokumentacionin e dekriminalizimit,” tha ai.

Pavarësisht kërkesës së mbrojtjes për përjashtimin e trupit gjykues, kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata. “Kjo gjykatë është e ndërtuar mbi bazën e një vullneti të lirë për t’u përgjuar nga SPAK. Nuk bën vaki që një gjykatë e pavarur të jetë nën vëzhgimin e prokurorit,” përfundoi Gjokutaj.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×