“Mandatet tuaja buruan nga miliardat e Bajrave dhe Franc Çopjas”, Berisha: E hoqët komisionin e integrimit se ju tmerroi fjala e Jorida Tabakut!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër nga foltorja e Parlamentit, duke akuzuar mazhorancën socialiste për shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Berisha nuk kurseu akuzat ndaj mazhorancës për të mos respektuar Kushtetutën dhe për të përdorur metoda të paligjshme për të arritur në pushtet. Ai theksoi se për shumicën socialiste, Kushtetuta nuk ka asnjë vlerë. “Per ju, kushtetuta nuk ka asnjë vlerë. Keni turp apo jo të lexoni ligjet në këtë mënyrë kur nuk e lejon Kushtetuta?”, u shpreh Berisha, duke e quajtur këtë një veprim  të papranueshëm. Kreu i PD akuzoi shumicën se po mashtron qytetarët dhe opinionin publik me pretendimin për një konsensus që, sipas tij, nuk ekziston.

Berisha theksoi se mandatin e deputetëve të shumicës socialiste e konsideron të paligjshëm dhe të pastruar përmes manipulimeve zgjedhore. “Mandatet tuaja buruan nga blerja masive e votave, buruan nga policia politike, terroristët elektoralë, buruan nga censura dhe kontrolli i 90% të mediave,” tha Berisha, duke akuzuar qeverinë për përdorim të dhunshëm dhe të paligjshëm të pushtetit për të fituar zgjedhjet.

Ai e vazhdoi me akuza të forta, duke theksuar se shumica ka përdorur miliona euro për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa bëri të ditur se paratë kanë ardhur nga burime të dyshimta dhe të lidhura me krimin. “Mandatet tuaja erdhën nga përdorimi i 1 miliard eurove në kundërshtim me Kushtetutën për të kontrolluar zgjedhjet,” tha Berisha, duke përmendur gjithashtu figura të njohura të krimit si Franc Çopja dhe Bajrat, që, sipas tij, janë të përfshirë në këtë gjë.

Berisha u shpreh se mazhoranca shkriu komisionin e integrimit për arsye se u “tmerruan” nga fjala e kryetares së tij, Jorida Tabakut.

Në fund të fjalës së tij, Berisha theksoi se mazhoranca socialiste është e tmerruar nga zbatimi i ligjit dhe Kushtetutës, dhe se kjo është arsyeja pse ajo refuzon të pranojë rregullat dhe standardet e sistemit demokratik. “Ju tmerroheni nga ligji dhe Kushtetuta dhe në këtë qëndron fakti se ju nuk pranoni të zbatoni rregullin më elementar,” përfundoi ai, duke e cilësuar këtë një kërcënim për demokracinë dhe rendin e shtetit.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×