Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryetari Sali Berisha, mbajti një fjalim të fortë, duke sulmuar krijimin e ministres me inteligjencë artificiale, Diella, e prezantuar nga kryeministri Edi Rama si pjesë e kabinetit të ri qeveritar.
Berisha theksoi se Partia Demokratike do të luftojë për mbrojtjen e standardit të ligjit, duke e cilësuar këtë një betejë të vështirë përballë makinerisë së dezinformimit të Diellës, e cila, sipas tij, është “e pakufishme”. Ai e konsideroi këtë betejë jo vetëm si një luftë për interesat e qytetarëve shqiptarë, por gjithashtu si një mbrojtje për qytetarët e rajonit, të Evropës dhe më gjerë.
Berisha nuk kurseu as akuzat për presidentin Bajram Begaj, duke e akuzuar atë për përfshirje në vjedhjen e pronave të ushtrisë. Sipas Berishës, Rama po krijon një kabinet të farsës elektorale, dhe për të mbuluar këtë, ka nxjerrë Diellën, ministren me inteligjencë artificiale, që po bëhet “sterrë”.
“Po e bëjmë këtë për të mbrojtur jo vetëm shqiptarët, por të gjithë rajonin dhe Evropën, sepse ky është një narkoshtet që duhet luftuar”, tha Berisha.
Berisha kërkoi dërgimin e dekretit për Diellën në mënyrë urgjente në Gjykatën Kushtetuese për të arkivuar “ministren Diella në banesën e turpit të historisë”. Ai gjithashtu theksoi se do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese vendimi i Kuvendit për miratimin e ndryshimeve të rregullores, të cilat, sipas tij, shkelin parimet kushtetuese dhe rregulloren e parlamentit.
© BalkanWeb