Ambasada e SHBA-ve në Tiranë përmes një postimi në rrjetet sociale ka falënderuar pjesëmarrësit në festimin e vizitës historike të USS Mount Whitney në Porto Romano javën e kaluar.
Në reagimin e saj, ambasada shprehet se përmes bisedave të rëndësishme me partnerët në fushën e mbrojtjes për rolin e Shqipërisë në NATO e deri te performancat e grupit “Flagship” dhe artistëve shqiptarë, u dëshmua forca e aleancës së NATO-s dhe miqësisë mes kombeve.
“Faleminderit të gjithëve që u bashkuan me ne për të festuar vizitën historike të USS Mount Whitney në Porto Romano javën e kaluar! Nga bisedat e rëndësishme me partnerët tanë në fushën e mbrojtjes për rolin e Shqipërisë në NATO, te interpretimet mbresëlënëse të “Flagship”, grupit të mirënjohur muzikor të Forcave Detare Amerikane në Europë dhe Afrikë – me pjesëmarrjen e muzikantëve shqiptarë Gjergj Kaçinari dhe Blerina Braka nga Orkestra e Forcave të Armatosura Shqiptare – pamë forcën e Aleancës së NATO-s dhe miqësisë mes kombeve tona. Së bashku lundrojmë”, shprehet ambasada në reagimin e saj.
© BalkanWeb