Gazetarët nuk do lejohen më në sallën dhe oborrin e Kuvendit gjatë seancave plenare, sipas një vendimi të ri që ka ngjallur reagime të forta.
Deputetja e PD, Ina Zhupa, e cilëson këtë një masë represive dhe të papranueshme që cenon lirinë e medias. Ajo thotë se ky është një përpjekje për censurë dhe kontroll total të informacionit nga mazhoranca.
Zhupa paralajmëron se opozita do kundërshtojë çdo tentativë që rrezikon transparencën dhe integrimin europian të vendit.
Postimi i deputetes së PD, Ina Zhupa:
Pas porosisë së Ramës “kujdes nga gazetarët” vjen plani për mos lejuar gazetarët në sallën dhe në oborrin ku zhvillohen seancat plenare.
Një kufizim i lirisë së medias, një monopolizim me rregji i ngjarjeve brenda kuvendit nën kontrollin e mazhorancës është i dëmshëm për demokracinë.
Ky plan që po gatuhet në zyrat e kuvendit minon edhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar mbi aktivitetin e deputetëve që ata kanë votuar.
Gazetarët kanë gjithë të drejtën të pyesin deputetët dhe të rregjistrojnë në mënyrë të pavarur aktivitetin e seancës publike parlamentare. Në republikën e censurës të Ramës, çdo hapësirë lirie për gazetarët dhe për deputetët duhet shuar!
Cdo mase e tillë këtyre të drejtave është represive dhe e prapanueshme. Dhe ne do bëjmë gjithcka për mos e lejuar, kur liria e medias është në prioritetet e Bashkimit Europian dhe pjesë e clusterit të parë.
© BalkanWeb