Analisti Leonard Olli ka folur mbi projektligjin “Për Barazinë Gjinore në Shoqëri”, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, duke theksuar se gjuhësia, tradita dhe natyra janë elementët kyç në mënyrën si shoqëria e ka trajtuar temën e gjinisë ndër shekuj.
Sipas Ollit, çdo diskutim mbi gjininë dhe identitetin duhet të nisë nga fjala, nga gjuha si themeli i marrëveshjes sociale dhe ndërpersonale.
“Fjala është e para. Gjuha përcakton marrëveshjen tonë sociale. Nuk themi ‘karrigia, seksi femër’, por ‘gjinia femërore’. Që në fillesat e shoqërive njerëzore, termi ‘gjinia’ ka qenë pjesë e ndërtimit shoqëror, ndërsa ‘seksi’ si nocion ka ardhur më vonë,” tha Olli.
Ai theksoi se ka shumë qasje, përfshirë ato juridike, shkencore apo shoqërore, që përpiqen të japin përkufizime të reja, por sipas tij, në thelb, nuk ka ndarje të thellë mes gjinisë dhe seksit, pasi natyra ka një harmoni të vetën që nuk mund të sfidohet me eksperimente shoqërore.
“Është e pamundur të mohojmë ekzistencën e elementeve gjenetikisht të ndryshëm, përfshirë edhe anomalitë. Por natyra ka një ekuilibër’,” tha Olli.
Duke folur për identitetin gjinor dhe personat transgjinorë, ai u shpreh se ka mirëkuptim për ata që nuk ndihen të përfaqësuar nga gjinia e lindjes, por ngre pikëpyetje mbi futjen në legjislacion të një gjinie asnjanëse, të cilën e konsideron të tepërt.
“Nëse dikush ndien se është grua dhe dëshiron të identifikohet si e tillë, nuk kam asnjë problem. Por krijimi i një kategorie të tretë gjinore – një gjini asnjanëse – më duket i tepërt,” theksoi ai.
Në këtë kontekst, Olli solli si shembull figurën e “burrneshës”, një fenomen unik në kulturën shqiptare që sipas tij dëshmon për emancipimin dhe fleksibilitetin e gjuhës dhe shoqërisë shqiptare ndër shekuj.
“Fjala burrneshë është një krenari për shqipen. Është një koncept i veçantë që e tregon emancipimin tonë si shoqëri. Në gjuhën shqipe kemi edhe fjalët ‘Perëndia’ dhe ‘Zoti’ – një balancë që pak gjuhë e kanë. Gjuha jonë është baraslarguar, edhe Zotit i ka dhënë të dy format,” tha ai me krenari.
© BalkanWeb