Vetëm 25 minuta seancë e tensionuar, reagon Bardhi: Mazhoranca do opozitë pa gojë e pa zë. “Diella”, fantazi propagandistike

 

 

 

 

 

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Xhorxh Orwell na tregon se si në një fermë të shtypur, zgjedhjet nuk ishin më vota, por thjesht urdhra të derrave udhëheqës. Kjo që ndodhi sot në parlament ndodh çdo ditë në Shqipëri: njerëzit drejtohen me arbitraritet, me arrogancë, me padrejtësi.

Edi Rama do një opozitë pa zë, dhe pa gojë. Edi Rama do një opozitë memece që të mos flasë për vjedhjet e tij monstruoze. Ky i sotmi është vizioni i tij për demokracinë: parlament pa debat, opozitë pa zë, qytetarë pa shpresë. Ai duron vetëm Diellën, që e programon vetë dhe Belindën që e urdhëron po vetë.

Opozita nuk është as ksanaksi i Ramës. As Morfina e tij. Ne nuk ia lehtësojmë dot ankthin e tij që gjendet në dosjen e FBI-së për korrupsion ndërkombëtar.

Nuk jemi këtu për t’i dhënë qetësi, por për t’u thënë shqiptarëve të vërtetën.

E vërteta është se Diella e Edi Ramës është fantazi propagandistike. Korrupsioni dhe krimi i organizuar është realitet.

Diella nuk është vizion, por fasada virtuale për të fshehur vjedhjet e përditshme gjigande të kësaj qeverie. Edi Rama ka klonuar veten si grua, si një iluzion dixhital për të mbajtur pushtetin e korruptuar. Edi Rama, në fakt, çifti Rama në formën e Diellës nuk është teknologji.

Diella është propaganda e paketuar në 3D. Diella nuk është ministër kundër korrupsionit. Diella është shërbëtore e korrupsionit, në versionin virtual. Është një Edi Ramë, që shet Shqipërinë tek 2-3 oligarkë, është një Belinda Balluku që shet tenderat dhe pasuritë e vendit tek 2-3 kriminelë dhe klientë personalë, është një Linda Ramë që përcakton si fitues të qindra milionë eurove 2-3 kompani familjare me familjen dhe pushtetin e bashkëshortit të saj.

Sot kam një mesazh për partnerët e shqipërisë. Aleksandër Solzhenicin thotë diku në një vepër të tij: Ne e dimë që ata po gënjejnë. Ata e dinë që po gënjejnë. Ata e dinë që ne e dimë se po gënjejnë dhe përsëri vazhdojnë të gënjejnë. Ne e dimë që në Shqipëri nuk ka një qeveri të zgjedhur nga vota reale e shqiptarëve. Rama e di. Europianët e dinë. Të gjithë e dimë. Por loja vazhdon. Dhe ky është shkatërrimi i vertetë demokracisë.

Por ne nuk do të lodhemi kurrë së thëni të vërtetën në çdo formë: korrupsioni dhe shërbimi i kësaj qeverie për krimin e organizuar, pastrimi i parave me ligje strategjike nuk duhet të jetë e ardhmja jonë.

Shqipëria meriton drejtësi, jo mashtrim. Dinjitet, jo poshtërim. Meriton Europën  e vërtetë, jo kompromiset gjysmake të burokratëve, që heshtin kur Parlamenti dhe Kushtetuta në Shqipëri përdhosen në mes të Europës. Ne do të jemi këtu, derisa të fitojë e vërteta dhe të humbasë korrupsioni me hajdutët e saj në qeveri.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×