Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka komentuar zhvillimet në seancën plenare të ditës së sotme, duke e cilësuar atë antikushtetuese dhe në shkelje flagrante të Rregullores së Kuvendit.
I ftuar në “Log.” në News24, Kaso theksoi se kryeministri kishte ardhur me synim të qartë për të qëndruar 24 orë aty, por të mbyllte shpejt e shpejt, ashtu sic ndodhi.
Ivi Kaso: “Një tjetër provokim ishte përpara pesë minutëshit të pushimit dhe pas. Kryetari i Kuvendit, pasi e shkeli njëherë rregulloren për fjalën e kryetarit të grupit tonë parlamentar, tha që do ta jap fjalën pas pushimit për procedurë, por ia dha fjalën Taulant Ballës. U duk se ishte e parapërgatitur.
Problemi është se kur një kryeministër vjen në seancën më të rëndësishme të legjislaturës, me idenë që ta mbylli për pesë minuta, nuk ka opozitë gjakftohtë që mundet ta parandalojë. Ai kishte ardhur qartësisht për ta mbyllur shpejt, sepse tri minutat që foli tha që ju do të flisni në këtë sallë falë zemërgjerësisë sime sa të silleni mirë. Nuk ka balancë pushtetesh, ia bëri me shenjë Peleshin ‘mbylle’ dhe u mbyll.”
© BalkanWeb