Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka komentuar në lidhej me seancën plenare të së enjtes, seancë e cila ishte planifikuar të ishte maratonë, por që zgjati rreth 25 minuta.
I pyetur nga Nidsida Tufa në “Kjo javë” në Neës24, Bardhi u shpreh se arsyeja pse hodhi Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit drejt kryparlamentarit Niko Pelshi, ishte e vetmja mënyrë reagimi që kishin në ato momente, pasi nuk po u jepej e drejta e fjalës.
Bardhi shtoi se ajo që ndodhi të enjten, ishte provokim i kryeministri Rama dhe një “seancë turpi”.
“Po shkelej Kushtetuta dhe Rregullorja. Kur reagimin nuk e bën dot me fjalë, e vetmja mënyrë për të reaguar ishte hedhja e tyre drejt kryetarit të Kuvendit. Ishte një seancë turpi në 35 vite. Publiku u privua nga e drejta për të dëgjuar programin dhe oponencën e opozitës edhe për kabinetin qeveritar.
Ishte provokim, tallje duke e shndërruar sallën e Kuvendit në teatër kukullash dhe kërkuam të na jepej e drejta e fjalës. Mazhorancës iu dha 2 herë fjala ndërsa grupit tonë, me sa duket Peleshi u urdhërua nga Rama dhe fjala iu dha sërish mazhorancës”, tha ai.
© BalkanWeb