Ministrja e re e Shëndetësisë, Evis Sala u prezantua sot nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me stafin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Rama tha se QSUT duhet të synojë të jetë pjesë e 500 spitaleve më të mira në botë.
Duke u ndalur te eksodi i bluzave të bardha që ka prekur vendin vitet e fundit, kryeministri Edi Rama theksoi se “Shqipëria duhet të fillojë të tërheqë mjekë nga jashtë”. Sipas tij synimi nuk duhet të jetë vetëm rikthimi i mjekëve shqiptarë që punojnë jashtë, por dhe krijimi i një ambienti për të tërhequr mjekë të huaj.
“Unë besoj edhe diçka tjetër, që thellimi i autonomisë spitalore dhe rritja e shpejtësisë për ta aplikuar, duke u bazuar edhe tek saktësimi me më shumë shpejtësi gjithë procedurat, protokollet etj, do t’i japë një dorë të rëndësishme motivimit, por edhe asaj pjesës së tha ministrja, të rritjes së fuqisë tërheqëse të sistemit për mjekët e rinj dhe pse jo, edhe për mjekët e huaj.
Ne nuk duhet të vendosim asnjë limit në ambicien tonë.
Sot, Shqipëria nuk është ajo që ishte në asnjë aspekt dhe tërheqja ndaj Shqipërisë sot, është edhe më e madhe, madje është rritur edhe ditët e fundit edhe për shkak se pavarësisht se çfarë thuhet këtu, gjithë bota rri e merret me ministren tonë jo njeri, por kjo në thelb e bën shumë tërheqës vendin, si një vend që ka arritur të ketë edhe një ministër jo njeri dhe ku ambicia është e madhe dhe ku hapja ndaj teknologjisë është e plotë. Kështu që, të jeni të sigurtë, që, ashtu sikundër unë kam çdo ditë, pa asjë ekzagjerim 3,4,5 intervista nga Europa dhe jashtë për të shpjeguar këtë fenomen, ashtu edhe kur vjen puna tek profesionistët e teknologjisë, tek sipërmarrjet, është krijuar një interes. Dhe kjo ka impaktin e vet në imazhin e vendit dhe ka impaktin e vet dhe tek fuqia tërheqëse e vendit dhe për gjithë të tjerët.
Kështu që nuk duhet të vendosim asnjë limit në ambicie dhe duhet ta shohim si të natyrshme që këtu të tërheqim, jo vetëm mjekë shqiptarë që janë jashtë, por edhe mjekë të huaj për të punuar bashkë me ju. Dhe këto sinergji që po krijojmë, këto aleanca që do krijojmë, patjetër që ndihmojnë shumë edhe në këtë drejtim, kështu që besoj që jemi në momentin e duhur për të rienergjizuar të gjithë së bashku veten dhe për ta parë çdo gjë si një fillim të ri, sepse kjo infrastrukturë që siç tha ministrja, nuk ka ça t’i ketë zili fare, as spitaleve më në zë, është për momentin mure, pajisje dhe hapësira”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se infrastruktura moderne e QSUT është tashmë në nivelin e spitaleve më prestigjioze, por sfida kryesore mbetet cilësia e shërbimit.
“Nuk mund të pretendojmë të hyjmë në 100 spitalet më të mira të botës, për 1001 arsye. Por s’kemi pse QSUT të mos e kemi në 500 spitalet më të mira të botës”, shtoi kreu i qeverisë.
Sipas tij, problemi nuk lidhet me profesionalizmin e mjekëve, por me integritetin dhe aftësinë e të gjithë trupës për të prodhuar sukses në mënyrë të përbashkët.
Fjala e plotë e Ramës
Mirëmëngjesi, edhe shumë faleminderit për praninë. Jam posaçërisht krenar dhe shpresëplotë për të ardhmen e shërbimit tonë shëndetësor. Sot, duhet t’iu prezantoj zyrtarisht me shefen e re të Ministrisë së Shëndetësisë, profesoren Evis Sala. Jam i bindur që shumëkush edhe në këtë takim e njeh, si një studente të dikurshme me shkëlqim në Fakultetin e Mjekësisë që prej thuajse 30 vjetësh ka zhvilluar një karrierë ndër më mbresëlënëset ndër shqiptarët në Europë apo në botë. Ajo ka spikatur si akademike, si mjeke dhe si drejtuese në disa prej universiteteve dhe qendrave më të njohura spitalore të botës. Ka punuar në Qendrën Spitalore për Kancerin, “Memorial Sloan Kettering” në Neë York, ku ka mbajtur pozicionin e profesoreshës dhe shefes së Radiologjisë Abdominale.
Ka thelluar studimet në universitetin e Kembrixhit, ku ka punuar si profesor i Imazherisë Onkologjike, ka mbrojtur doktoraturën dhe kryer specializimin e lartë në radiologji.
Dhe përpara se të vinte në Shqipëri këto ditë për të marrë këtë detyrë të re, drejtonte prej disa vitesh departamentin e Imazherisë Diagnostike dhe Radiologjisë në Poliklinikën Universitare “Gemelli” dhe njëkohësisht jepte mësim në Universitetin Katolik të “Zemrës Shenjtë” në Romë.
Profesore Sala ka marrë pjesë në grupe kërkimore shkencore me financime nga agjencitë më të njohura europiane dhe amerikane, ka publikuar mbi 300 artikuj shkencorë, mbajtur mbi 500 kumtesa dhe ligjërata në forume akademike ndërkombëtare. Ndërkohë që, bën pjesë në bordet e disa shoqatave të mirënjohura europiane dhe jo vetëm të radiologjisë.
Po ashtu, ministrja jonë e re e shëndetësisë është një personalitet i vlerësuar me çmime dhe vlerësime prestigjioze ndërkombëtare, ku më vjen një kënaqësi e veçantë të veçoj pranimin e saj në Tokio, si e para grua anëtare në historinë e të famshmes “Japanese Radiological Society”.
Profesore Sala sjell përveç tjerash në qeverinë e re edhe shembullin rrezatues të shqiptarëve të suksesshëm të Europës dhe të botës, të cilëve do t’u hapim derën sa më shumë dhe gjithnjë e më shumë, qoftë për të shërbyer si profesionist në çdo nivel, pasi kanë investuar masivisht në shkollim dhe në karrierë, qoftë për t’i investuar financiarisht në Shqipëri, pasi këtu është toka e të parëve.
Në mandatin tonë të parë, ne mbyllëm gropat e thella të borxheve të trashëguara të sistemit tonë shëndetësor.
Në dy mandatet e tjera bëmë investime të qenësishme për të transformuar infrastrukturën e sistemit tonë shëndetësor, ku praktikisht transformuam shumë spitale, ndërtuam spitale të reja dhe qindra e qindra Qendra Shëndetësore.
Në mandatin e tretë rritëm në mënyrë të konsiderueshme pagat e mjekëve dhe të infermierëve, duke i vendosur në një nivel të përafërt me rajonin.
Ndërkohë që në mandatin e katërt, duam të shkojmë më tej dhe të hyjmë më thellë në përmbajtjen e transformimit përsa i përket asaj që duhet që shëndetësia, sistemi ynë shëndetësor, shërbimi ynë shëndetësor t’u ofrojë qytetarëve përtej infrastrukturës së transformuar dhe përtej asaj që i detyrohemi mjekëve dhe infermierëve si shpërblim punës të tyre.
Besoj që disa piketa kyçe janë vendosur. Është shumë e qartë që janë dy shtylla të rëndësishme mbi të cilat ne do të mbështetemi, nga njëra anë krijimi i mëtejshëm dhe zgjerimi i aleancave me ekselencat ndërkombëtare dhe nga ana tjetër futja me përparësi e Inteligjencës Artificiale në sistemin tonë shëndetësor.
Në aspektin e parë kemi hapur tanimë një trase dhe këtu në territoret e QSUT-së kemi firmosur edhe një marrëveshje me një nga ekselencat italiane dhe europiane, qoftë për administrimin e QSUT-së, qoftë edhe për universitetin që duam të krijojmë një sinergji mes universitetit “Vita e Salute” dhe universitetit tonë të mjekësisë.
Kemi nisur një bashkëpunim të drejtpërdrejtë për Spitalin Onkologjik me një ndër spitalet më të mira të botës, numri tetë në botë, “Sheba” në Izrael. Duam të shkojmë më tutje me hapjen e një universiteti të ri mjekësor në Fier, pranë spitalit “Memorial”.
Duam të shkojmë më tutje edhe me ndërtimin e një spitali ekselencë që të ofrojë dhe shërbime, si pikë referimi i turizmit shëndetësor dhe që të jetë në gjendje të përballojë kërkesat shumë të larta përgjatë, sidomos sezonit veror, për shërbimin spitalor. Dhe nga ana tjetër, jemi në diskutime për të lidhur një partneritet strategjik me një ndër kompanitë më të mirënjohura në fushën e Inteligjencës Artificiale në shërbim të shëndetësisë, e cila praktikisht është i vetmi “unicorn” në shëndetësi që deri tani ka Mbretëria e Bashkuar.
Të gjitha këto dhe të tjera, sigurisht që do të jetë në fokusin e ministres së re, të cilës po i kaloj fjalën për të thënë disa gjëra sot në ditën e prezantimit të saj dhe patjetër, duke i uruar punë të mbarë me kolegët e dikurshëm, në të njëjtat territore dhe me kolegët e rigjetur në po këto territore, pas një xhiroje të botës, dhe duke shpresuar që mirëkuptimi i padiskutueshëm profesional do të sjellë pastaj edhe mirëkuptimin e domosdoshëm në aspektin e administrimit secili dhe secila sipas nivelit të përgjegjësisë dhe pozicionit të vet.
Dëshiroj që t’i bëj një falenderim të veçantë ministres që kalon detyrën këtu për të vazhduar në detyrën tjetër që sapo ka marrë, një falenderim të veçantë sepse ka krijuar një frymë pozitive në përgjithësi, ka motivuar të gjithë për të bërë gjërat si duhet dhe ka treguar një këmbëngulje të posaçme për të çuar përpara projektet dhe për të koordinuar dhe harmonizuar forcat edhe në funksion të atyre aleancave që unë përmenda, që janë kyçe për këtë mandat. Kështu që, besoj që është një falenderim, jo thjesht formal, por është një falenderim plotësisht i merituar për Albanën.
Faleminderit edhe dua ta mbyll duke rinënvizuar faktin që nënvzioi edhe ministrja e re, nuk duhet t’i vendosim asnjë kufi ambicies sepse unë e besoj shumë fort dhe nuk është e vështirë ta besosh këtë që po them, që jetojmë në në kohë kur bekimi i teknologjisë është bekim për vendet si i yni. Në rast se nuk do të ishte teknologjia digjitale, në rast se nuk do të ishte edhe AI së fundmi, do të na duhej shumë më tepër kohë për të fituar terrrenin që na ndan nga vendet më të zhvilluara. Mirëpo, pikërisht teknologjia i vjen në ndihmë vendeve në zhvillim, si një forcë që rrit në mënyrë eksponenciale shpejtësinë e transformimit dhe prandaj edhe thuhet që nuk jetojmë më në kohën e progresit linear, por jetojmë në kohën e progresit eksponencial dhe në këtë aspekt besoj që na takon të bëjmë thjesht dhe vetëm zgjedhjet e duhura dhe t’i mbështesim zgjedhjet e duhura me investimin e duhur për të pasur sukses.
Nga ana tjetër teknologjia dhe AI nuk e zëvendësojnë dot edukimin dhe specializimin e lartë të njerëzve, në këtë rast të mjekëve apo edhe infermierëve. Kështu që paralelisht teknologjinë duhet ta vendosim edhe në dispozicion të edukimit, edhe të atij që quhet edukim në vazhdim për të pasur gjatë gjithë kohës një trupë të informuar me çdo të re të aktualitetit.
Unë e kam parë shumë, shumë i inkurajuar atë që ka nisur me spitalin “SHEBA’’ dhe në këtë aspekt. Vizitat e punës, në një qendër ekslence botërore dhe për hir të së vëretës, më ka ardhur shumë mirë nga raportet e tyre që janë shumë vlerësuese për mjekët me të cilët ata kanë punuar apo me të cilët ata kanë ndërvepruar edhe gjatë periudhave të vizitave atje. Madje, ua kam kërkuar edhe në mënyrë specifike duke qenë se ka qenë një komunikim i brendshëm, që të më thonë realisht çfarë opinioni kanë, pa zbukuruar asgjë dhe më kanë siguruar që në aspektin profesional, ky spital sipas tyre, ka mjekë të nivelit të lartë, por natyrisht nuk kanë harruar të më thonë edhe tjetrën, që ajo që mungon, është organizimi dhe është bashkëveprimi mes mjekëve dhe trupës.
Pra, në një farë mënyre, është njësoj si një skuadër, ku më vete të gjithë janë lojtarë të kuotuar, por kur bëhen bashkë nuk e fitojnë dot ndeshjen me atë rezultat që duhet ta fitojnë.
Prandaj, unë besoj edhe diçka tjetër, që thellimi i autonomisë spitalore dhe rritja e shpejtësisë për ta aplikuar, duke u bazuar edhe tek saktësimi me më shumë shpejtësi gjithë procedurat, protokollet etj, do t’i japë një dorë të rëndësishme motivimit, por edhe asaj pjesës së tha ministrja, të rritjes së fuqisë tërheqëse të sistemit për mjekët e rinj dhe pse jo, edhe për mjekët e huaj.
Ne nuk duhet të vendosim asnjë limit në ambicien tonë.
Sot, Shqipëria nuk është ajo që ishte në asnjë aspekt dhe tërheqja ndaj Shqipërisë sot, është edhe më e madhe, madje është rritur edhe ditët e fundit edhe për shkak se pavarësisht se çfarë thuhet këtu, gjithë bota rri e merret me ministren tonë jo njeri, por kjo në thelb e bën shumë tërheqës vendin, si një vend që ka arritur të ketë edhe një ministër jo njeri dhe ku ambicia është e madhe dhe ku hapja ndaj teknologjisë është e plotë. Kështu që, të jeni të sigurtë, që, ashtu sikundër unë kam çdo ditë, pa asjë ekzagjerim 3,4,5 intervista nga Europa dhe jashtë për të shpjeguar këtë fenomen, ashtu edhe kur vjen puna tek profesionistët e teknologjisë, tek sipërmarrjet, është krijuar një interes. Dhe kjo ka impaktin e vet në imazhin e vendit dhe ka impaktin e vet dhe tek fuqia tërheqëse e vendit dhe për gjithë të tjerët.
Kështu që nuk duhet të vendosim asnjë limit në ambicie dhe duhet ta shohim si të natyrshme që këtu të tërheqim, jo vetëm mjekë shqiptarë që janë jashtë, por edhe mjekë të huaj për të punuar bashkë me ju. Dhe këto sinergji që po krijojmë, këto aleanca që do krijojmë, patjetër që ndihmojnë shumë edhe në këtë drejtim, kështu që besoj që jemi në momentin e duhur për të rienergjizuar të gjithë së bashku veten dhe për ta parë çdo gjë si një fillim të ri, sepse kjo infrastrukturë që siç tha ministrja, nuk ka ça t’i ketë zili fare, as spitaleve më në zë, është për momentin mure, pajisje dhe hapësira.
Dhe sfida është, që edhe shërbimi brenda të jetë i të njëjtit nivel. Natyrisht që ne nuk mund të pretendojmë tek 100 spitalet më të mirë të botës, për 1001 arsye, por nuk kemi pse QSUT të mos e kemi në 500 spitalet më të mira të botë. Nuk ka asnjë arsye pse jo. Dhe në këtë aspekt, nuk është profesionalizmi problemi ynë kryesor, është integriteti i të gjithë trupës dhe kapaciteti i trupës për të prodhuar sukses, duke bashkuar të gjitha kontributet, që është diçka krejt tjetër nga çfarë bën secili individualisht.
Ju falenderoj dhe një herë dhe duke qenë se jeni një komunitet i njohur për naze, është diçka që ju ma keni mësuar që jeni “nazeli” dhe “tekanjozë” të mëdhenj, edhe për shkak të stresit besoj, nuk ma ha mendja tani se keni ndonjë naze të mundshme për të bërë për ministren që është njësoj si ta keni nxjerrë vetë. Kjo mund të jetë shumë e mirë, po kjo mund të jetë dhe shumë, shumë “e rrezikshme” sepse siç dhe ju e dini, ‘’s’ka profet në fshatin e vet’’, kështu që Evisi është kthyer në ‘’fshat’’, në ‘’fshatin’’ e vet ekzaktësisht, me gjithë ‘’fshatarët dhe bashkëfshatarët’’ që ka këtu në këtë territor.
Uroj që as mos t’ju ‘’hajë’’ e as mos ta ‘’hani’’, po së bashku bëni që shërbimi shëndetësor të njohë tek kjo qendër, një xhevahir të kurorës në të gjitha kuptimet e fjalës.
© BalkanWeb