Fermín López, mesfushori i Barcelonës, i është përgjigjur pyetjeve të ndryshme te RAC1.
“Dita ime e parë në La Masia ishte më e keqja e jetës sime. Ishte hera e parë që largohesha nga shtëpia dhe qava shumë.
Barça e kishte vëzhguar lojtarin që në moshën 11-vjeçare, por babai i tij nuk pranoi transferimin duke e konsideruar shumë të vogël. Vetëm dy vite më vonë, klubi u rikthye me një tjetër ofertë që, siç shprehet ai, “ishte treni i fundit”. Me gjithë vështirësitë, Fermín tregon se arriti të përshtatej: “Na u desh kohë, por krijuam një grup shumë të mirë me Xavi Simons dhe djem të tjerë.”
Marrëdhënia me Gavin
Në javët e fundit ishte përfolur për një tension mes tij dhe Gavit, por mesfushori nga El Campillo i hodhi poshtë këto zëra:
“Ne e njohim njëri-tjetrin që prej moshës 13-vjeçare dhe nuk ka asnjë problem. Është një nga miqtë e mi më të mirë në dhomat e zhveshjes, ashtu si Pedri, Balde, Eric dhe Dani. Dalin gjithmonë gjëra, por askush nuk e di çfarë ndodh brenda. Futbollistët duhet të jenë mendërisht gati për këto situata.”
E ardhmja te Barça
I pyetur për të ardhmen e tij dhe mundësinë për t’u larguar gjatë merkatos së fundit, Fermín u shpreh qartë:
“Nuk e kam menduar kurrë largimin. Gjithmonë kam qenë tifoz i Barcelonës. Patjetër që kishte oferta, por asnjë nga Real Madridi. Klubi nuk donte të më shiste dhe unë nuk doja të largohesha.”
Formë e mirë, por i ndalur nga dëmtimi
Pas një vere të pasigurt, Fermín López mbeti në skuadrën e parë të Barcelonës dhe ka qenë protagonist në këtë fillim sezoni, duke u aktivizuar titullar në pesë nga gjashtë ndeshjet e para. Megjithatë, fatkeqësisht, në minutat e fundit të përballjes kundër Getafes pësoi një dëmtim dhe do të qëndrojë jashtë fushave për të paktën tri javë.
© BalkanWeb