Çdo projekt që propozohet përmes modelit me partneritet Publik Privat (PPP) do të duhet të shoqërohet me studim fizibiliteti sipas kritereve të reja të miratuara nga Ministria e Financave.
Sipas udhëzimit projektet do të duhet të kalojë një analizë të detajuar cilësore dhe sasiore për të justifikuar efikasitetin e tij kundrejt modelit tradicional.
Udhëzimi “Për përcaktimin e metodologjisë së përgatitjes së studimit të plotë të fizibilitetit dhe studimit të thjeshtuar të fizibilitetit”, përcakton se analizës së fizibilitetit do t’i nënshtrohen çdo projekt investimesh në vlerë të lartë.
Por për projektet me PPP kërkohet se duhet të kalojnë në analiza të detajuara të “Vlerës për paranë” dhe “Analizës sasiore të vlerës së parasë”, duke ndërthurur një krahasim mes kostove dhe përfitimeve të modelit PPP dhe atij tradicional të zbatimit të projekteve nga shteti.
Analiza përfshin vlerësime cilësore mbi përfitimet shoqërore, ndarjen e rreziqeve, oreksin e tregut dhe inovacionin e mundshëm, si dhe një krahasim financiar të detajuar për të parë nëse PPP sjell realisht kursime për shtetin.
Udhëzimi përcakton se nëse, pas krahasimit të dy mënyrave të zbatimit të një projekti përmes PPP-së ose me financim dhe zbatim tradicional nga shteti, rezulton se PPP-ja sjell më shumë përfitime (pra, ka vlerë më të lartë për paranë), atëherë ajo konsiderohet mënyra më efikase.
Për të marrë vendimin përfundimtar, duhet të bëhet si analiza cilësore (përfitimet jo-financiare) ashtu edhe ajo sasiore (llogaritjet financiare), si dhe të shihet nëse ka interes nga tregu (pra, kompani private që janë të gatshme ta marrin përsipër projektin).
Nëse vendoset që projekti do të zbatohet me PPP, institucioni që e propozon duhet të japë edhe detajet e tjera: sa do të kushtojë projekti, sa vite do të zgjasë kontrata, sa do të jenë kostot e mirëmbajtjes, dhe çdo informacion tjetër i nevojshëm për përgatitjen e tenderit sipas ligjit për koncesionet dhe PPP-të.
Pjesë e udhëzimit
11. Analiza e vlerës për para për partneritetet publike private
11.1 Qasja metodologjike Ky kapitull zbatohet vetëm për projektet që do të zbatohen sipas modalitetit PPP. PPP-ja është një modalitet zbatimi që mund të përdoret në projekte publike, kur justifikohet. Analiza që krahason efikasitetin e zbatimit të projektit në formulën PPP në krahasim me formulën tradicionale të zbatimit nga subjekti publik emërtohet analiza “Vlera për paranë”
14 . Analiza e vlerës për para duhet të kryhet për çdo projekt PPP-je, pasi të konfirmohet fizibiliteti i tij (duke përfshirë efektivitetin ekonomik). Qëllimi i tij është t’i përgjigjet pyetjes nëse projekti në shqyrtim duhet të zbatohet duke përdorur PPP-në apo metodën tradicionale. Analiza e vlerës për para duhet të kryhet për projektet që janë treguar si potencialisht të zbatueshme duke përdorur modalitetin PPP në fazën e plotësimit të formularit të konceptimit të projektit të investimit, kur duhet të ishin identifikuar arsyet paraprake për marrjen në konsideratë të kësaj qasjeje. Analiza e vlerës për para përfshin analizën cilësore dhe analizën sasiore.
11.2 Analiza cilësore e vlerës për para
Analiza cilësore e vlerës për para duhet të marrë parasysh përfitimet që mund të merren nga perspektiva e interesit shoqëror në fushat e mëposhtme:
1 Shkalla e projektit – A është shkalla e projektit e mjaftueshme që çdo përmirësim në efektshmëri mund të kompensojë kostot e prokurimit?
2 Koha e nevojshme për të përfunduar projektin – A do të lejojë përdorimi i modalitetit PPP për zbatimin e projektit zbatim më të shpejtë të projektit? – A do të reduktojë përdorimi i formulës PPP rrezikun e vonesave në krahasim me modelin tradicional?
3 Ndarja e detyrave – A do të lejojë zbatimi i projektit, duke përdorur modalitetin PPP, ofrimin e infrastrukturës më cilësore në terma afatgjatë krahasuar me modelin tradicional? – A ofrohet rritje e cilësisë së shërbimeve në kuadër të projektit PPP? A mund të ofrohet i njëjti nivel i cilësisë së shërbimit në modelin tradicional? – A ka partneri privat përvojë/ekspertizë më të madhe se partneri publik në ofrimin e shërbimeve? – A janë të nevojshme kompetenca të specializuara për zbatimin e projektit?
4 Ndarja e rreziqeve – A do të mund partneri privat të menaxhojë më mirë se subjekti publik rreziqet e transferuara në modalitetin PPP? – A mund të kalojnë këto rreziqe te kontraktorët në modelin tradicional të zbatimit të investimeve?
5 Kostot e kohëzgjatjes së projektit – A është projekti relativisht kompleks në mënyrë që partnerët privatë të mund të ofrojnë zgjidhje novatore të projektimit, ndërtimit dhe menaxhimit që së bashku mund të krijojnë sinergji për rritjen e efikasitetit? – A ka potencial për inovacion? A është ndryshe për modelet e zbatimit të investimeve?
6 Tarifat nga përdoruesit dhe palët e treta – Në modelin PPP, a mundet partneri privat të marrë të ardhura shtesë, duke ulur tarifat e përdoruesve?
7 Profili i shpenzimit të fondeve publike – A janë identifikuar përfitimet e vendosjes së kostove afatgjata të projektit? – A do të lejojë përdorimi i modelit PPP subjektin publik, për një projekt të caktuar, që të kryejë projekte të tjera falë disponueshmërisë më të madhe të fondeve në afat të shkurtër?
8 Oreksi i tregut – A ka dëshmi se ka mjaftueshëm partnerë privatë potencialë me oreks dhe kapacitet për të ofruar projektin? – A sugjeron natyra e transaksionit (p.sh. rëndësia e tij strategjike) se ai do të shihet nga tregu si një sipërmarrje fitimprurëse?
9 Aftësia për të përcaktuar dhe monitoruar rezultatet – A mund të monitorohen lehtësisht rezultatet dhe cilësia e zbatimit të kontratës?
10 Karakteristikë e kërkesës në të ardhmen – A nuk u nënshtrohet ndryshimeve të shpejta kërkesa për shërbimet e ofruara në kuadër të projektit, për shkak të ndryshimeve në teknologji?
Nëse përgjigjet e pyetjeve të mësipërme tregojnë më së shumti se projekti ka një shans për t’u zbatuar me sukses në formulën PPP, duhet të kaloni në analizën sasiore.
11.3 Analiza sasiore e vlerës për para bazohet në një krahasim të flukseve financiare të sektorit publik në të dy skenarët. Për këtë qëllim është e nevojshme të ndërtohet një model financiar për zbatimin e projektit në formulën tradicionale (metoda e skontuar e fluksit monetar), i ashtuquajturi Krahasues i Sektorit Publik (PSC) .
Vlera aktuale e flukseve financiare të sektorit publik krahasohet me vlerën aktuale të flukseve monetare të njësisë publike në modelin PPP gjatë së njëjtës periudhë analize, duke përdorur të njëjtën normë interes
Gjatë zhvillimit të modelit krahasues të sektorit publik, i cili paraqet projektimin e fluksit monetar për skenarin në të cilin autoritetet publike zbatojnë projektin, është e nevojshme të merren parasysh disa hapa të rëndësishëm për ta bërë atë të krahasueshëm me modelin PPP.
Nëse, si rezultat i krahasimit të vlerave aktuale për të dy modelet e ofrimit, vlera aktuale që rezulton e flukseve të subjektit publik në modelin PPP është më e lartë se vlerat e vlerësuara PSC, kjo tregon një efikasitet më të lartë të modalitetit PPP. Së fundi, vendimi për të zgjedhur metodën e zbatimit të projektit duhet të bazohet në analizën cilësore dhe sasiore, duke përfshirë testimin e tregut, i cili duhet të japë një përgjigje në çfarë niveli tregu mund të përfundojë projektin brenda parametrave të supozuar.
Në rast të përzgjedhjes së opsionit PPP si forma më e mirë e zbatimit të një projekti institucioni propozues duhet të paraqesë edhe vlerësimet mbi vlerën e parashikuar të kontratës, kohëzgjatjen e propozuar të kontratës, si edhe çdo informacion tjetër të nevojshëm për përgatitjen e dokumentacionit të tenderit, kostot e mirëmbajtjes etj., në përputhje me legjislacionin për koncesionet dhe PPP./Monitor
© BalkanWeb