Shehaj mesazh PD-së: Vetëm me kandidat jashtë politikës fitojmë Tiranën, kemi emra

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj në një konferencë për shtyp deklaroi se zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës opozita mund t’i fitojë vetëm me një kandidat që do jetë jashtë partive politike.

Shehaj i ka dërguar mesazh partisë më të madhe opozitare që të ndajë mendjen nëse është e gatshme të hyjë në një betejë elektorale për të fituar Bashkinë e Tiranës me një emër që të mos jetë nga PD.

Shehaj theksoi se forca politike që ai drejton nuk ka zhvilluar ende negociata me Partinë Demokratike për një kandidat të përbashkët.

Kreu i Partia Mundësia e bëri të qartë në fjalën e tij se nuk do të ulet në asnjë tryezë negociatash me PD-në, nëse paraprakisht nuk merret një vendim që kandidati opozitar të jetë jashtë politikës, i pakorruptuar dhe përbashkues për të gjitha partitë opozitare.

“Kemi thirrur këtë konferencë për shtyp në lidhje me zgjedhjet për kryetar Bashkie në Tiranë, duke pasur parasysh që edhe PD ka deklaruar se ka filluar negociatat për një kandidaturë të mundshme të të gjithë opozitës.

Ne kemi mbajtur një qendrim e kemi thënë që ka vetëm një mënyrë për të fituar zgjedhjet në Tiranë dhe e vetmja mënyrë është që e gjithë opozita të ketë një kandidat që vjen nga jashtë partive politike. Jemi të bindur që kjo është është e vetmja mënyrë për të fituar zgjedhjet në Bashkinë Tiranë. Sidomos duke pasur parasysh që para disa muajsh u bënë zgjedhje në Tiranë dhe PS ka marrë pothuaj 44% të votave po të llogarisim dhe votat që ka marrë PSD, shanset që një kandidat I opozitës I njërës prej partive politike të fitojë zgjedhjet janë shumë të vogla.

E vetmja mënyrë dhe e vetmja alternativë është të kemi një kandidat që vjen jo nga radhët e partive politike.

Nuk kemi marrë një përgjigje të prerë nga PD nëse është apo nuk është për një alternativë të tillë. Përgjigjet kanë qenë të llojit edhe mundet, të shohim. Por propozimi ynë ishte i qartë. Na kërkohet të futemi në negociata, por para se të zhvillojmë cdo lloj negociate është me rëndësi që PD të thotë është apo nuk është për një kandidat të tillë e nuk mund të luajë me dy porta duke thënë edhe jemi edhe s’jemi.

Duhet ta ndajë ose do vazhdojë me mënyrën e vjetër duke nxjerrë një kandidat që përfaqëson PD ose me mënyrën e re që opozita nxjerr një kandidat të përbashkët”, u shpreh Shehaj.

Agron Shehaj u shpreh se PD duhet të kuptojë që opozita ka 12 vite që korr të njëjtin rezultat me humbje për shkak se nuk ka gjetur një kandidat jashtë radhëve të politikës. Fitorja në Bashkinë e Tiranës e një kandidati jo-politik është një shans i artë theksoi Shehaj, por edhe një kusht të cilin e kanë diktuar zgjedhësit.

“Ky nuk është një kusht që e vendos ynë është kusht për të fituar zgjedhjet në Tiranë.
Ne kemi parë në këto 12 vjet që duke vepruar në të njëjtën mënyrë kemi korrur të njëjtin rezultat.

Kushti për të vendosur një njeri të ndershem këtë e kanë vendosur zgjedhësit kanë 12 vjet që zgjedhësit i thonë opozitës do të fitosh, do të fitoni në Tiranë apo Shqipëri duhet të ndryshoni të hapni partitë të nxirrni kandidatë ndryshe. Kjo është ajo që ne besojme, është kusht për të fituar, jo kusht i yni.

Çfarë duhet të ndodhë më shumë që opozita të kuptojë që duhet të dalë përtej partive opozitare, sa zgjedhje duhet të humbasë më shumë.
Që nuk mund të bëjë të njëjtat gjëra që ka bërë se nuk ka për të ndryshuar asgjë? Pse pas 4 muajsh do ndodhë dicka ndryshe nga çfarë ndodhi në maj?

Nëse i thërrasim mendjes e kuptojmë që duhet të veprojmë ndryshe e duhet të dëgjojmë zgjedhësit, kushtin e vendosin zgjedhësit jo unë”, u shpreh Shehaj.

Gjatë konferencës me gazetarët, Shehaj tha se Partia Mundësia ka disa emra si alternativa që do ta përfaqësojnë shumë mirë opozitën e bashkuar për të mundur kandidaten që ka vendosur në garë Partia Socialiste, Ogerta Manastirliu, për të cilën përmendi edhe hetimet që po kryen SPAK ndaj saj.

“Dëgjoj shpesh që thonë që nuk paska kandidatë të gatshëm. Nuk është e vërtetë, Tirana ka kandidatë të ndershëm punëtorë të aftë pafund, ka shumë që janë të gatshëm të lënë punët e tyre e të vendosen në shërbim të qytetarëve të Tiranës.

Ne kemi disa emra, alternativa shumë të mira që jam i bindur që mund të fitojnë përballë kandiates socialste që të gjithë e dinë që ka dosje ne SPAK se ka abuzuar me paratë e qytetarëve shqiptarë.

Thjesht PD të ndajë mendjen nuk mund të ulemi në negociata pa ditur për çfarë do negociojmë. Nëse duan të dinë nga Partia Mundësia nëse ne do mbështesim një kandidat të PD, është e kotë që të ulemi në tavolinë. Përgjigja qështë jo. Nëse janë të gatshëm e kanë ndarë mendjen që të kandidojmë një përfaqësues të opozitës që të bashkojë opozitën e që të marri vota përtej votave të partive opozitare jo vetëm që jemi dakort por jemi të bindur që kjo është e vetmja mundësi.

Ky është një fillim. Le ta tregojmë që mundet Edi Rama. Ky është një shans i artë që pas 12 vitesh të kemi një palë zgjedhje ku opozita fiton” – u shpreh Shehaj.

Prej tre muajsh, Agron Shehaj dhe Partia Mundësia kanë dalë me propozimin se opozita mund ti fitojë zgjedhjet në Tiranë, vetëm nëse bashkohet rreth një kandidati jo-politik, të njohur në shoqëri dhe me integritet të lartë.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×