Vijojnë kërkim për autorin e vrasjes së dyfishtë në Greqi, ku objekt i sulmit ishte një pronar grek dhe i besuari i tij, shqiptar. Ngjarja ndodhi në kampingun e Finikoundës, ndërsa autori ndodhe ende në arrati.
Edhe pse autoritetet kanë hartuar rrugën e tij të arratisjes – nga Mesinia në Athinë – ai mbetet i zhdukur, pa u gjetur deri më tani.
Sipas SKAI, autori, i cili po udhëtonte me një skuter të bardhë me targa të mbuluara, dyshohet se është zhvendosur pas Finikoundës drejt Methonit, Pylos, Filiatra dhe Kyparissia. Më pas ai kaloi jashtë prefekturës së Mesinisë, u gjet në Pyrgos Ilias, pastaj në Korinth dhe së fundmi në Haidari, ku humbasin gjurmët e tij. Oficerët e policisë së Drejtorisë së Krimeve Kundër Jetës kanë hartuar itinerarin e tij, duke vlerësuar se autori i krimit zgjodhi rrugë më të vjetra kombëtare dhe provinciale për të shmangur zonat me një rrjet të dendur kamerash sigurie. Analiza e videove tregon se ai i njihte mirë zonat dhe si të lëvizte pa u vënë re, ndërsa targat e skuterit ishin të kamufluara me plastikë me nuancë të errët në mënyrë që numri i regjistrimit të mos njihej — madje as në dy stacionet e benzinës ku ai ndaloi për karburant.
Policia Helenike nuk beson, të paktën për momentin, se mjeti i arratisjes është vjedhur, ndërsa po shqyrton edhe pamjet nga kamerat në drejtim të kundërt për të gjurmuar rrugën e autorit të krimit për në Finikounda para vrasjes.
Autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë e një “vrasësi”, prandaj po krahasojnë dy testamente që lidhen me rastin, duke kërkuar për “njerëz të pakënaqur” të mundshëm që mund të kenë pasur një motiv. Kujtojmë se një pjesë të pasurisë, shtetasi grek ia la në testament dhe punonjësit të tij, një shtetasi shqiptar. Autori i krimit konsiderohet të jetë ose i përfshirë drejtpërdrejt me pronarin e kampingut, ose një ekzekutor që është paguar për aktin.
Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu një telefonatë të bërë në kohën e vrasjes nga kampingu – ndoshta, sipas vlerësimeve, një telefonatë konfirmimi nga autori i krimit pas ekzekutimit. Policia po vazhdon hetimet me të gjitha mjetet në dispozicion, ndërsa oficerët vlerësojnë se arrestimi i tij është vetëm çështje kohe.
BalkanWeb