Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke akuzuar institucionet e dala nga reforma në drejtësi për dështim të plotë në përmbushjen e funksioneve të tyre.
Deklarata e Balliut vjen pas seancës dëgjimore të zhvilluar sot me kreun e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD), ku sipas tij, është bërë e qartë se vetë drejtuesit e këtyre institucioneve po pranojnë publikisht dështimin.
Në postimin e tij në Facebook, Balliu shkruan: “Kryetari i ILD: ‘Nuk kemi ç’t’i bëjmë’. Sot, gjatë seancës dëgjimore me kreun e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, u bë e qartë se vetë institucionet e dala nga reforma në drejtësi po pranojnë dështimin e saj. Kreu i ILD pranoi se institucioni që ai drejton nuk është në gjendje të ushtrojë funksionet e veta në mënyrë efektive, si pasojë e mungesës së burimeve njerëzore dhe e mënyrës së gabuar me të cilën është konceptuar dhe zbatuar reforma.”
Deputeti demokrat e cilësoi këtë një “pranim institucional” të dështimit të reformës në drejtësi, duke theksuar se jo vetëm konceptimi, por edhe zbatimi i saj ka qenë i gabuar që në fillesat e veta.
“Ky është një pranim institucional se reforma në drejtësi ka dështuar në thelb dhe në funksionim,” përfundon Balliu në reagimin e tij.
BalkanWeb