Kreu i SPAK, Altin Dumani po vijon të përgjigjet në seancën dëgjimore në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ku një ndër pyetjet ka qenë dhe hetimi për “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, për të cilat opozita ka ngritur akuza ndaj qeverisë.
“Tigri 1 dhe Tigri 3 në rasat se evidentojmë prova do ushtrojmë ndjekje penale në çdo rast”, tha Dumani.
Pyetjeve të demokratit Gjin Gjoni për hetimet mbi pastrimin e parave, Dumani thotë se procedimet janë duke u rritur nga ana e SPAK.
“Për pastrimin e parave, e kemi përmendur është shqetësim, kemi ndërtuar rast pas rasti. Numri i hetimeve ka ardhur në rritje, vlera e pasurive të konfiskuara është rritur. Ka vend për të rritur numrin e hetimeve. Nuk është e lehtë, kemi treguar që vit pas viti kemi shtuar numrin e procedimeve.”
Lidhur me platformat Sky dhe Encro, Dumani thotë se ka bashkëpunim me partnerët në mënyrë të vijueshme dhe veprohet përmes informacioneve të ardhura nga letër porositë.
“Sky Ec Matrix Encro chat, sa i takon numrit nuk je shumë i informuar. Është shumë i madh numri i platformave të kriptuara. Kemi shkëmbime herëpashershme të të dhënave duke u bazuar dhe ne letërporositë dhe përmes Ministrisë së drejtësisë.”
Gjithashtu u përgjigj edhe nëse ka hetime për grupet kriminale dhe bankat në të cilat sipas Gjonit, ato pastrojnë paratë e krimit.
“A ka një hetim për pastrim parash në banka? Nuk mund të them gjë. Kemi patur një rast jo për bankat, por për elementë të krimit që tentuan të përdorin bankat për pastrim parash.”
BalkanWeb