Është zbuluar propozimi i Partisë Socialiste për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.
Në bazë të vendimit të miratuar, komisioni do të ketë si objekt shqyrtimin e kuadrit ligjor dhe institucional të pushtetit vendor, analizimin e strukturës territoriale ekzistuese, financave vendore, aksesit në shërbime publike dhe përafrimin e këtyre proceseve me standardet e BE-së dhe politikat e kohezionit rajonal.
Komisioni do të përbëhet nga 17 anëtarë, përfaqësues të të gjitha forcave parlamentare: 9 deputetë nga PS, 6 nga PD, 1 nga Aleanca për Ndryshim, 1 nga Partia e Lirisë.
Kryetari i komisionit do të jetë nga shumica parlamentare, ndërsa zëvendëskryetari do të përfaqësojë opozitën.
Objektivat e komisionit:
Komisioni do të:
-Analizojë funksionalitetin e ndarjes aktuale territoriale,
-Propozojë opsione për ridizenjim të ri të hartës administrative,
-Sugjerojë masa për shëndoshjen financiare të njësive vendore,
-Sigurojë konsultim gjithëpërfshirës me komunitetin, shoqërinë civile, institucionet publike, akademinë dhe partnerët ndërkombëtarë,
-Hartojë një dokument analitik me rekomandime dhe propozime ligjore për reformën.
Komisioni do të punojë për një periudhë 9-mujore, me mundësi zgjatjeje në rast nevoje, dhe do të mbështetet nga një grup ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë, të përzgjedhur nga institucione të ndryshme.
Në proces pritet të përfshihen edhe organizata ndërkombëtare si BE, OSBE dhe Këshilli i Europës, për të ofruar ekspertizë teknike dhe asistencë në këtë reformë të rëndësishme për funksionimin demokratik dhe efikas të pushtetit lokal.
Dokumenti i propozimit:
PROJEKTVENDIM
PËR NGRITJEN E KOMISIONIT TË POSAÇËM PËR REFORMËN ADMINISTRATIVO-TERRITORIALE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 77, pika 1, dhe 78, pika 1, të Kushtetutës dhe të neneve 24 dhe 55, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, me propozimin e një grupi deputetësh,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
- Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo- Territoriale në Republikën e Shqipërisë.
- Komisioni i Posaçëm ka për objekt të veprimtarisë së tij:
- a) të shqyrtojë kuadrin ligjor dhe institucional të qeverisjes vendore;
- b) të analizojë dhe propozojë opsione për ridizenjimin territorial dhe forcimin e kapaciteteve administrative të njësive të qeverisjes vendore;
- c) të analizojë sistemin aktual të financave vendore dhe të rekomandojë masa për shëndoshjen financiare dhe rritjen e qëndrueshmërisë së njësive të vetëqeverisjes vendore, duke përfshirë forcimin e decentralizimit fiskal, rritjen e të ardhurave vendore, optimizimin e shpenzimeve dhe përmirësimin e menaxhimit financiar;
ç) të shqyrtojë cilësinë dhe aksesin e shërbimeve publike vendore;
- d) të sigurojë përputhshmërinë e propozimeve me acquis të Bashkimit Europian dhe politikat e kohezionit rajonal;
- dh) të zhvillojë proces konsultimi tërësor, gjithëpërfshirës dhe transparent me njësitë e qeverisjes vendore, shoqatat e tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë;
- e) të paraqesë përpara Kuvendit dokument analitik me rekomandime për hapat e mëtejshëm dhe projekt-propozime ligjore.
III. Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë. Emrat e anëtarëve të tij do të përcaktohen me vendim të Kuvendit.
- Kryetari i komisionit është përfaqësues i shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i pakicës parlamentare.
- Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 9-mujor nga data e miratimit të këtij vendimi. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të kryetarit të tij, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit.
- Pranë Komisionit të Posaçëm ngrihet dhe funksionon grupi i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtar me përfaqësues të propozuar nga institucionet qeverisjes qendrore dhe vetëqeverisjes vendore, shoqatat e vetëqeverisjes vendore, institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medies, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj, që do të mbështeten nga Sekretariati Teknik. Numri, afatet e punës dhe detyrat specifike të grupit të ekspertëve përcaktohen më vendim të komisionit.
VII. Komisioni i Posaçëm, në veprimtarinë e tij, do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore, Ministrin e Financave, Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, dhe Ministrin e Shtetit Kryenegociator, si dhe me përfaqësues të qeverisjes vendore dhe të shoqatave të zgjedhura vendore.
VIII. Çdo parti tjetër parlamentare, e cila nuk është e përfshirë në këtë komision, ka të drejtë të bëjë propozime.
- Komisioni i Posaçëm, për realizimin e objektit të tij të përcaktuar si më sipër, në bashkëpunim edhe me grupin e ekspertëve, do të organizojë:
- Seanca dëgjimore me qëllim konsultimi, tryeza pune dhe diskutime publike lidhur me temat objekt pune të këtij komisioni me:
- institucionet e qeverisjes qendrore dhe vetë qeverisjes vendore sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë;
- institucionet e sistemit të drejtësisë;
- institucionet kushtetuese të pavarura dhe institucionet publike të krijuara nga Kuvendi.
- agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, që kanë objekt të veprimtarisë së tyre çështje që prekin interesat e pushtetit vendor, në përputhje me legjislacionin përkatës;
- ekspertë të mirënjohur të fushave përkatëse;
- përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit;
- pedagogë e studentë;
- përfaqësues të organizatave të specializuara brenda e jashtë vendit, etj.;
- Mbledhjen dhe përpunimin e informacioneve dhe të dhënave të nevojshme nga struktura të ndryshme shtetërore në funksion të përmbushjes së objektit të tij;
- Përfshirjen në këtë proces të opinionit publik dhe veçanërisht të pakicave kombëtare dhe përfaqësuesve të tyre.
- Prezenca e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, si dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, me përvojë në çështjet e qeverisjes vendore, ftohen të ndjekin, të japin asistencë dhe ekspertizë teknike në punimet e komisionit dhe grupit të ekspertëve të ngritur pranë tij.
- Mbledhjet e Komisionit janë të vlefshme kur në to marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Komisioni synon që vendimmarrja të arrihet me konsensus për të gjitha çështjet që shqyrton. Në mungesë të konsensusit, vendimet merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Komisionit.
- Ngarkohen Byroja e Kuvendit dhe Sekretari i Përgjithshëm për krijimin e kushteve të punës, mbështetjen financiare e logjistike të veprimtarisë së këtij Komisioni të Posaçëm, grupit të ekspertëve dhe sekretariatit teknik.
XII. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E T A R
NIKO PELESHI
BalkanWeb