Deputeti i PD, Klevis Balliu, e ka cilësuar rastin e presidentit Begaj, të paprecedentë pasi nuk ekziston asnjë rast tjetër në botë ku kreu i Shtetit të jetë njëkohësisht i punësuar në një kompani private.
“Ky veprim i paprecedent përbën jo vetëm shkelje të etikës dhe integritetit institucional, por edhe dëshmi të etjes për privilegje personale të z. Bajram Begaj, i cili tashmë ka humbur çdo legjitimitet moral për të përfaqësuar unitetin e popullit”, shkruan Balliu teksa vijon me akuzat për Begajn duke e quajtur një instrument të verbër të pushtetit ekzekutiv, që vepron me urdhra politikë dhe jo me dinjitet institucional.
“Si pasojë e kësaj sjelljeje të papranueshme, institucioni i Presidencës është degraduar në një zgjatim të qeverisë, duke humbur pavarësinë dhe autoritetin kushtetues që duhet ta karakterizojë.
Ky është një tregues alarmant i rrënimit të shtetit të së drejtës, i shkatërrimit të ndarjes së pushteteve dhe i rrezikimit serioz të pluralizmit politik në vend.
Në këto kushte, heshtja është bashkëfajësi. Shqipëria meriton një President të Republikës, jo një vartës të pushtetit”, shkruan në statusin e tij në facebook Klevis Balliu.
BalkanWeb