Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar projektligjin “Për barazinë gjinore” si një “mashtrim të radhës” të Partisë Socialiste dhe duke kërkuar rrëzimin e tij të plotë.
Shehu e akuzon mazhorancën se, përmes 22 amendamenteve të paraqitura së fundmi, po përpiqet të maskojë thelbin e ligjit, që sipas tij përbën një “atentat ndaj strukturës tradicionale të shoqërisë”.
“22 amendamentet e PS, të detyruara nga reagimi i fortë i opinionit publik, komuniteteve fetare dhe qytetarëve në tërësi, nuk janë asgjë tjetër veçse përpjekje për të fshehur thelbin e ligjit,” shkruan Shehu në reagimin e tij.
Sipas deputetit demokrat, projektligji rrezikon të legalizojë një model të ri shoqëror të bazuar mbi “shumëllojshmëri gjinore fluide”, çka bie ndesh me, siç shprehet ai, parimet tradicionale të shoqërisë shqiptare që njohin vetëm dy gjini – mashkull dhe femër.
Shehu thekson se ligji nuk e përmend qartë konceptin e dy gjinive të përcaktuara që në lindje, duke lënë hapësirë për interpretim dhe për njohjen e identiteteve gjinore alternative, si transgjinor, gjinor fluid, apo jogjinor (non-binary).
“Ky projekt-ligj shemb kolonat e shoqërisë dhe rrezikon të ardhmen e fëmijëve tanë,” shton Shehu, duke paralajmëruar për rrezikun e futjes së koncepteve të komunitetit LGBT+ në sistemin arsimor dhe edukativ të fëmijëve.
Deputeti e konsideron të pamjaftueshme ndërhyrjen me amendamente nga ana e PS-së dhe kërkon rrëzimin e plotë të projektligjit, duke e cilësuar atë si “të pakorrigjueshëm dhe të papranueshëm për parimet mbi të cilat qëndron familja dhe shoqëria”.
“Ky projekt tinzar duhet hedhur në kosh,” përfundon deklaratën e tij deputeti demokrat.
BalkanWeb