Gjobat antiligjore, detyrim i Kuvendit të hetojë mbi rastin “Prestige Resort”. Nevojë urgjente për transparencë dhe mbikëqyrje parlamentare

Vendimi i fundit i Drejtorisë së Tatimeve VIP për të vendosur një gjobë prej 4 milionë eurosh ndaj “Prestige Resort”, subjekt i shembur nga shteti në vitin 2022, ka shkaktuar debat në opinionin publik, si dhe në radhët e ekspertëve të ekonomisë dhe aktorëve të biznesit.

Kjo masë ndëshkuese, e vendosur tre vite pas shembjes së resortit, është cilësuar nga ekspertët si abuzive, antiligjore dhe si një akt i hapur hakmarrjeje ndaj grupit mediatik “Hysenbelliu”, i cili zotëron edhe investimin në fjalë. Rasti ngre gjithashtu shqetësime serioze për klimën e pasigurt në të cilën operojnë investitorët në Shqipëri.

Në këtë kontekst, është domosdoshmëri që Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave të ndërhyjë dhe të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe hetimor. Ky komision duhet të thërrasë në një seancë dëgjimore përfaqësuesit e Drejtorisë së Tatimeve, si dhe përfaqësuesit ligjorë të grupit “Hysenbelliu”, për të përballur publikisht argumentet e të dyja palëve.

Gjithashtu, çështje si ajo e gjobës antiligjore ndaj “Prestige Resort” duhet të trajtohen edhe nga Komisioni për Mbikëqyrjen Institucionale, një strukturë e sapokrijuar në Kuvendin e Shqipërisë. Ky komision, i cili drejtohet nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj dhe ka si nënkryetar deputetin demokrat Ivi Kaso, ka për detyrë funksionale pikërisht mbikëqyrjen e punës së qeverisë, institucioneve dhe agjencive në varësi të saj.

Për këtë arsye, si Komisioni i Ekonomisë, ashtu edhe ai për Mbikëqyrjen Institucionale duhet të përmbushin detyrën e tyre duke monitoruar zbatimin e ligjshmërisë nga organet e ekzekutivit.

Një seancë dëgjimore me Drejtorinë e Tatimeve dhe përfaqësuesit e “Hysenbelliu Group” do të ishte thelbësore për të siguruar transparencë të plotë mbi vendimmarrjen tatimore. Në këtë mënyrë, deputetët dhe publiku do të mund të mësojnë nëse janë ndjekur apo jo procedurat ligjore për vendosjen e gjobës ndaj “Prestige Resort”.

Këto seanca dëgjimore do të shërbenin për të ndaluar precedentë të tillë të rrezikshëm, që dëmtojnë rëndë besimin e biznesit tek institucionet publike.

Në një kohë kur Shqipëria përpiqet të tërheqë investime të huaja dhe të forcojë institucionet demokratike, raste të tilla nuk mund të trajtohen në heshtje apo përmes kanalesh të mbyllura. Publiku ka të drejtë të dijë dhe Parlamenti ka detyrimin të veprojë.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×