Bozdo i drejtohet Çelës: Ju them se krimi lulëzon, pastrimi i parave rritet, ekonomia shkatërrohet, shqiptarët ikin

Deputeti i PD, Eno Bozdo, ka reaguar pas deklaratës së kryeprokurorit Olsian Çela në Kuvend.

Bozdo iu drejtua Çelës duke i thënë se krimi në Shqipëri lulëzon, pastrimi i parave rritet, ekonomia shkatërrohet dhe shqiptarët ikën.

“Zoti kryeprokuror iu referua mediave si raportues. Ju them që nuk janë media. Është raporti i DASH z.kryeprokuror, që e ngre si rrezik kryesor për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare pastrimin e parave, se grupet e krimit të organizuar i pastrojnë paratë rehat në mes të ditës, në mes të dynjasë, pa i hyrë gjemb në këmbë në Shqipëri, duke shkatërruar ekonominë shqiptare, duke e çuar euron në nivelin më të ulët të pajustifikuar dhe duke sjellë sfidën më të madhe ekonomike dhe shoqërore për Shqipërinë në këto ndoshta 35 vite.

Këtë e thotë gjithashti edhe raporti i financuar nga Gizi dhe ministria e Jashtme norvegjeze për flukse të paligjshme të parave, ku gjen se, vetëm në Tiranë, në vitet 2016-2019 janë 1.6 mld euro të investuara në sektorin e ndërtimit të pajustifikuara.

Këtë e thotë gjithashtu edhe antimafia italiane dhe emisioni investigativ i Rai3, kur thotë se nga 3.7 mld euro në 4 vitet e fundit të investuara në Tiranë në sektorin e ndërtimit, vetëm 800 milionë euro janë të justifikuara se janë paguar dhe kredituar nëpërmjet sektorit bankar. Janë 2.9 mld euro që shkatërrojnë ekonominë shqiptare dhe kullat i kemi këtu në mes të ditës.

Pra, çështja është shumë më tepër e nxehtë, se sa fakti që ju nuk keni të dhëna.

Ju thatë që, ne praktikisht kemi bërë diçka. Unë ju them që, praktikisht krimi lulëzon, pastrimi i parave lulëzon, ekonomia shkatërrohet, shqiptarët ikin, euro po kap nivelet e fundit, eksportet shqiptare janë rrënuar, turizmi shqiptar po e pëson, bujqësia shqiptare nuk është konkurruese nga kjo, dhe jo vetëm nga kjo, sepse ju duhet të bënit mirë punën tuaj.

Pyetja e dytë që ka lidhje pikërisht me këtë: si pastrohen këto para?

Ka dhjetëra e dhjetëra raste, z.kryeprokuror, ku raportohet nga media se si të afërm, vëllezër, motra, farë e fis, të njerëzve që kanë precedentë penalë, të dënuar për krim të organizuar, pjesëtarë në organizata mafioze gjejnë mënyra për të investuar në pasuri të patundshme në Shqipëri.

Dhe ju them që ju vërtetë nuk keni statistika për këtë, ose keni pak statistika, por rastet që ju ndiqni, vetëm ato që thotë media, pa kërkuar ndonjë linjë prioritare direktivë nga ana juaj, janë dhe shumë, shumë herë më tepër.
Ju falenderoj për faktin që njohët arrogancën e prokurorit, i cili bëri një gjë të paparë duke arrestuar avokatin mbrojtës aty në seancë, dhe shpresoj që kësaj çështjeje t’i jepet drejtim njëherë e mirë.”, tha Çela.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×