“Gjyqet zgjasin me vite”, kreu i ILD, Metani raporton në Kuvend: Sistemi i drejtësisë në kolaps nga mungesa e gjyqtarëve

Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), Artur Metani, paraqiti sot në Kuvend raportin vjetor të veprimtarisë së institucionit për vitin 2024, duke theksuar sfidat e mëdha që po përballon sistemi gjyqësor, mes tyre ngarkesa e lartë e gjyqtarëve, mungesa e burimeve njerëzore dhe vonesat e theksuara në gjykime.

Në raportin e tij, Metani bëri të ditur se gjatë vitit 2024, ILD ka trajtuar 2854 ankesa, nga të cilat 1374 janë shqyrtuar dhe 54 kanë përfunduar me hetim disiplinor. Si rezultat, janë proceduar 11 magjistratë, përkatësisht 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë, me masa që variojnë nga shkarkimi nga detyra deri te vërejtja konfidenciale.

“Ngarkesa e magjistratëve në Gjykatën e Tiranës është tepër e lartë. Vetëm në vitin 2023, një gjyqtar ka trajtuar mesatarisht 1176 çështje, ndërsa mesatarja kombëtare është 841. Nga 80 gjyqtarë të parashikuar në organikë, vetëm 43 kanë ushtruar detyrën gjatë vitit,” theksoi Metani.

Ai paralajmëroi se situata e mungesave në sistemin gjyqësor po ndikon drejtpërdrejt në zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe në uljen e cilësisë së drejtësisë. Për këtë arsye, ILD ka hapur 51 hetime disiplinore për vonesa të pajustifikuara dhe zvarritje, ndërsa për 17 magjistratë (8 gjyqtarë dhe 9 prokurorë) janë dërguar kërkesa për procedim disiplinor.

Metani u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor që të ndërmarrin masa për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe efikasitetin e gjykatave, për të shmangur ngarkesën e tepërt dhe për të garantuar funksionimin normal të sistemit.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×