
Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku është thirrur për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ditën e sotme.
Në bazë të informacioneve të raportuara në News24 nga gazetarja Klodiana Lala, sipas fletëthirrjes së dorëzuar në adresë të numrit dy të qeverisë, Balluku duhet të paraqitet në SPAK në orën 15:00, ndërsa pritet që t’i komunikohen zyrtarisht akuzat e ngritura ndaj saj.
SPAK po heton zv/kryeministren për shkelje të barazisë në tenderat që lidhen pikërisht me tenderat e Llogarasë, ku më herët janë arrestuar vartës të saj, si ish-kreu i ARRSH-së Evis Berberi i cili po hetohet dhe gjykohet për disa akuza dhe ish-zyrtarë të tjerë.
Kjo është fletëthirrja e dytë drejtuar Ballukut, pasi herën e parë ajo nuk u paraqit në SPAK, sepse ndodhej jashtë vendit në një vizitë zyrtare.
Sipas ligjit, nëse refuzohet edhe fletëthirrja e dytë për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, kjo e fundit mund të kërkojë shoqërimin përmes policisë të subjektit nën hetim.
				
             

 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
                     and then
 and then