“Financim i fragmentuar në kontratat koncesionare”, kreu i KLSH raporton te ‘Ekonomia’: 180 milionë euro detyrime nga vendimet e Arbitrazhit

Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, ka bërë publike disa të dhëna financiare të dala nga kontrollet audituese të institucionit, gjatë raportimit në Komisionin e përbashkët për Nismat Qytetare dhe në Komisionin e Ekonomisë.

Shehu u ndal në stokun e detyrimeve të prapambetura që lidhen me çështjet gjyqësore, duke bërë të ditur se deri në fund të vitit 2024 ky stok arrin në 7.32 miliardë lekë.
Sipas Shehut, detyrimet faktike dhe kontingjente që burojnë nga vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut raportohen në vlerën e 18 milionë eurove, të cilat lidhen me 10 vendime që ndodhen aktualisht në proces brenda afatit tre mujor. Këto, sipas tij, rrezikojnë pagesa interesi për shkak të likuidimit të vonuar. Kreu i KLSH theksoi se në kontratat koncesionare me mbështetje buxhetore janë konstatuar mospërputhje në plan–pagesa dhe raportime, si dhe financim i fragmentuar jashtë programeve përkatëse. Po ashtu, sipas tij, është vënë re monitorim i pamjaftueshëm për pagesat dhe vëllimet e parealizuara, si edhe mungesë raportimi vjetor të performancës.

Shehu theksoi se në aspektin e kontabilitetit dhe raportimit fiskal, pavarësisht detyrimeve ligjore të përcaktuara në nenin 63 të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor, pasqyrat e konsoliduara vjetore të transaksioneve financiare të shtetit për vitin 2024 nuk janë hartuar dhe dorëzuar, duke e bërë të pamundur dhënien e një opinioni auditues financiar mbi to.
Megjithatë, nga auditimet financiare individuale të kryera nga KLSH, janë konstatuar mangësi në formën dhe afatet e përgatitjes së pasqyrave financiare, si edhe klasifikime të gabuara në pozicionet e tyre. Mes të tjerash, Shehu paralajmëroi se risqet fiskale mbeten të larta, për shkak të ekspozimit të rritur ndaj ndërmarrjeve publike, veçanërisht në sektorin e energjisë, ku janë evidentuar detyrime të ndërsjella të pashlyera dhe të pararregulluara. Ai përmbylli raportimin duke nënvizuar se stoku i detyrimeve të prapambetura për çështjet gjyqësore kontingjente mbetet i lartë, ndërsa theksoi nevojën për rritjen e transparencës dhe kontrollit në administrimin e fondeve publike dhe në kontratat koncesionare.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×