Belinda Balluku e pandehur: rrjeti i heshtjes që kapërcen kufijtë e pushtetit. Nga hetimi i një tenderi tek një skemë më e gjerë politike!

Nga Ardian Bushi, autor i emisionit Vetting

Në fund të tetorit 2025, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi zyrtarisht akuzat ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Akuza lidhet me shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë konkretisht, për procedurën e “Ndërtimit të tunelit të Llogarasë”, një projekt me vlerë afro 19 miliardë lekë pa TVSH.

Sipas dokumenteve të SPAK-ut, hetimi është pjesë e procedimeve të bashkuara nr.136/2025, 167/2024 dhe 181/2024. Burime nga grupi hetimor pohojnë se provat e deritanishme lidhen me ndërhyrje direkte të ministres në procesin e tenderimit dhe me favorizimin e operatorëve të caktuar ekonomikë. Ajo u paraqit në SPAK më 31 tetor, e shoqëruar nga motra e saj, e cila vepron si avokate mbrojtëse.

Heshtja si monedhë politike
Por në prapaskenë, historia e Ballukut po shihet si më shumë se një rast i izoluar korrupsioni. Burime pranë emisionit investigativ “Vetting” thonë se hetimi i plotë i kësaj dosjeje mund të prekë edhe përfaqësues të opozitës, që dyshohet se kanë përfituar nga tendera apo leje ndërtimi në këmbim të heshtjes publike.

Ky model bashkëpunimi informal , që disa zyrtarë e quajnë “heshtje e blerë” , ka bërë që disa figura opozitare të shmangin çdo kritikë ndaj Ballukut, pavarësisht dyshimeve të forta për abuzim me fondet publike. Në vend të akuzave politike, është krijuar një klimë e heshtur bashkëjetese mes interesave të pushtetit dhe biznesit.

Një kulturë e përbashkët përfitimi
Kjo situatë tregon se korrupsioni në Shqipëri nuk funksionon më si përplasje politike, por si një strukturë e përbashkët përfitimi, ku tenderat, koncesionet dhe lejet e ndërtimit kthehen në mjet pazari për të ruajtur ekuilibrin midis palëve.

Në këtë skemë, qytetarët humbin dy herë: një herë nga vjedhja e fondeve publike dhe herën e dytë nga mungesa e opozitës reale që duhet t’i kundërvihet kësaj sjelljeje.

A do të ketë guxim SPAK-u të shkojë deri në fund?

Derisa SPAK të zgjerojë hetimet përtej një tenderi të vetëm, dyshimet për selektivitet do të mbeten. Nëse hetimi i Ballukut shtrihet tek zinxhiri i plotë i përfituesve, përfshirë edhe ato me lidhje në opozitë, Shqipëria mund të ketë për herë të parë një rast real drejtësie që prek gjithë sistemin politik.

Sepse, siç thotë një nga prokurorët që ndjek çështjen “Nëse korrupsioni është bërë mënyrë bashkëjetese mes kundërshtarëve politikë, atëherë drejtësia duhet të jetë i vetmi faktor që i ndan.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×