Dikur mbështeti Ramën të hyjë në derën e pushtetit, sot gazeta “Panorama” e përzënë prej tij

Gjatë ceremonisë mortore të ish-liderit socialist dhe ish-kryeministrit Fatos Nano, disa prej socialistëve të brezit të vjetër na risollën në kujtesë një ngjarje që, siç e pohuan edhe vetë, ndryshoi rrjedhën e politikës shqiptare, një histori që lidhet ngushtë me median tonë.

Ishte tetori i vitit 2005, kur Partia Socialiste, pas dorëheqjes së Nanos, ndodhej në një udhëkryq. Kongresi i Jashtëzakonshëm duhej të zgjidhte kryetarin e ri, por në ditën e parë, platforma e Edi Ramës u rrëzua me shumicë votash. Në atë moment, askush nuk e mendonte se fati i PS-së dhe i vetë Ramës do të ndryshonte brenda 24 orësh nga faqja e parë e një gazete.

Më 9 tetor 2005, Gazeta më e madhe në vend “Panorama” doli me një titull që do të bënte histori: “KËRCËNOJNË 26 DEPUTETË: SOT VOTIM, OSE PARTI E RE!”

Kjo thirrje publike tronditi bazën socialiste, ndezi alarm për përçarje dhe detyroi delegatët të bashkoheshin rreth Ramës për të shmangur ndarjen përfundimtare të partisë. Ishte një gazetari që i parapriu politikës, një reagim mediatik që do të shkundte apatinë e një force në krizë. Ishte gazeta Panorama ajo që ndezi motorët e ndryshimit, duke i hapur rrugën Edi Ramës drejt drejtimit të PS-së, e më pas të qeverisë.

Një dekadë më vonë, po ai njeri që mori hov nga një titull i Panoramës, do të urdhëronte largimin e gazetarëve të saj nga godina e redaksisë. Me polici, administratë dhe forcë shtetërore, u përzu stafi i gazetës më të madhe në vend, asaj që dikur i dha zë ambicies së tij politike.

Ajo që nisi me një titull që nxiti bashkim, përfundon me një akt që simbolizon përjashtimin. Dhe ndoshta ky është kontrasti më i fortë mes dy kohëve: periudha e Fatos Nanos, që e pranoi kritikën dhe debatin, dhe ajo e sotmja, që i sheh mediat e pavarura si kundërshtarë.

Ngjarjet, ashtu siç i kujtojnë socialistët e vjetër dhe siç e dëshmon arkiva e pasur e gazetës më të madhe në vend, mbyllen në mënyrë paradoksale: Panorama, gazeta që dikur i hapi derën e pushtetit Edi Ramës, sot gjendet e luftuar dhe e ndëshkuar prej tij.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×