
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj deklaratave të qeverisë për rritjen e pagave, duke e quajtur një tjetër manovër propagandistike që nuk përputhet me realitetin ekonomik të familjeve shqiptare.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se vetë qeveria ka pranuar më në fund rritjen dramatike të çmimeve të produkteve bazë, nga 30% deri në 60%, që janë bërë barrë e rëndë për qytetarët.
“Qeveria pranoi rritjen e çmimeve, por ofron vetëm çikërrima si rritje pagash dhe pensionesh. Këto nuk kanë asnjë lidhje me realitetin që përjetojnë familjet shqiptare,” – deklaron Tabaku.
Sipas saj, ekonomia shqiptare është e kapur në pak duar dhe prodhon vetëm për një pakicë, ndërsa shumica e shqiptarëve përballen me rritje çmimesh, ulje fuqie blerëse dhe mungesë mbështetjeje reale nga shteti.
“Nuk mundet që çikërrimat e fundit të vitit të quhen mbështetje. Nuk mundet që një familje që shpenzon 40% të buxhetit vetëm për ushqime të trajtohet si histori suksesi nga propaganda qeveritare,” – shton deputetja demokrate.
Tabaku thekson se rritja e çmimeve dhe varfërimi i qytetarëve janë realiteti i vërtetë i buxhetit të vitit të ardhshëm, jo premtimet për një “vit të administratës” apo “vit të pensionistëve”.
Në fund, ajo apelon për një ndryshim të modelit ekonomik, që të mos punojë për oligarkinë, por për shumicën e shqiptarëve.
and then