
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kristaq Kume, ka folur për mundësinë e përfshirjes së inteligjencës artificiale (AI) në proceset zgjedhore në Shqipëri, duke e cilësuar si një hap të domosdoshëm drejt modernizimit dhe rritjes së besueshmërisë në administrimin e zgjedhjeve.
I ftuar në studion e News24, Kume u shpreh se teknologjia e inteligjencës artificiale mund të ndihmojë në rritjen e transparencës dhe efikasitetit të procesit zgjedhor.
“Nuk kemi pse të mos e bëjmë. Ka një pjesë të popullatës që e përdor tashmë, si studentët. Nuk është gjë e vështirë për t’u bërë. Kjo iniciativë duhet të përshëndetet. Në këtë fazë jemi ende në përpjekje, por më pas duhet parë si do të vazhdojë,” tha Kume.
Në diskutim, gazetari Ergys Gjençaj ngriti shqetësimin e opozitës për ndikimin e mundshëm politik të komisionerëve zgjedhorë dhe numëruesve, duke theksuar se përdorimi i inteligjencës artificiale mund ta zbusë këtë problem. Megjithatë ai theksoi se ka shumë punë për të bërë deri në përfshirjen e Inteligjencës Artificiale në proceset zgjedhore në Shqipëri.
“Opozita ka një frikë se komisionerët mund të kenë ndikim politik, ndërsa me inteligjencën artificiale kjo ndryshon,” tha Gjençaj.
Kume u shpreh dakord me idenë se automatizimi dhe digjitalizimi i disa funksioneve të administrimit zgjedhor mund të reduktojnë ndikimet njerëzore dhe të forcojnë integritetin e procesit.
and then